Po lëviznin pas mesnate e nuk i ndaluan patrullës, policia jep detajet a është qëlluar me armë ndaj dy të rinjve një natë më parë

0

Ndjekje policore ndaj një makine në Fier, e cila u konstatua duke lëvizur rreth orës 00:30. Ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë, ndërsa policia e Fierit në një njoftim sot bën me dije se ka nisur procedim penal ndaj dy të rinjve që ishin në makinën Benz.

“Në lidhje me ngjarjen menjëherë është njoftuar oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë Fier, i cili kreu veprimet përkatëse dhe referoi në Prokurori materialet për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”, e kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftim.

Reagimi i policise vjen pasi në rrjetet sociale qarkulloi lajmi se “punonjësit e Policisë së Fierit kanë qëlluar me armë në drejtim të një automjeti dhe ngjarja është fshehur”.

Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier

Në lidhje me një lajm të publikuar në rrjetet sociale dhe në media, ku pretendohet se punonjësit e Policisë së Fierit kanë qëlluar me armë në drejtim të një automjeti dhe ngjarja është fshehur apo nuk janë referuar materialet në Prokurori, bëjmë me dije opinionin publik se:

Në datë 15.12.2020 ka filluar procedimi penal për shtetasit I. Gj., 19 vjeç dhe K. B., 22 vjeç, banues në Fier, pasi në datën 15.12.2020, rreth orës 00:30, duke lëvizur me automjetin tip “Benz”, në vendin e quajtur “Zogu i Zi”, nuk i janë bindur urdhërit të Punonjësit të Policisë së Rendit për të ndaluar, por janë ndalur gjatë ndjekjes dhe janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Fier.

Në lidhje me ngjarjen menjëherë është njoftuar oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë Fier, i cili kreu veprimet përkatëse dhe referoi në Prokurori materialet për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”, e kryer në bashkëpunim.

Pavarësisht se veprimet janë kryer nga oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë Fier, ngjarja është pasqyruar në web-in e Policisë së Shtetit.

Sqarojmë se në asnjë moment, nga punonjësit e Policisë nuk është përdorur arma e zjarrit as në ajër dhe as në drejtim të automjetit.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve nga ana e Policisë Rrugore të DVP Fier, për drejtuesin e mjetit, shtetasin I. Gj., është marë masë administrative pezullimi i lejes së drejtimit dhe lejes së qarkullimit për shkelje të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.

Policia e Fierit shpreh keqardhjen për publikime të lajmeve të pavërteta që synojnë të zbehin punën e Policisë dhe mbi të gjitha marrëdhënien e Policisë me qytetarët. Policia është tërësisht e gatshme dhe transparente për t’i vënë në dispozicion çdo informacion që lejon ligji kujtdo që shpreh interes për të informuar publikun.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu