Iu futën në makinë, rrahën me leva dhe e hodhën policin ”të vdekur” në kanal. Arrestohen dy kushërinjtë

0

Prokuroria dhe policia e Laçit, kanë arritur të zbardhin një ngjarje të ndodhur 9 vite më parë në Mamurras, ku një efektiv policie, që shërbente në atë kohë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, u grabit me dhunë dhe plagos me sende të forta.

9 vite pas ngjarjes dy persona janë arrestuar në Laç, të identifikuar si Elson Bushgjoka dhe Fatjon Bushgjoka, të cilët dyshohet se janë autor të plagosjes së efektivit.Të dy kushërinj me njëri-tjetrin dhe që besohet se janë identifikuar falë gishtave të gjurmëve të fiksuara në një bidon Coca-Cola.

Arrestimi i dy kushërinjve Bushgjoka, është bërë me vendim gjykate. Sipas dosjes hetimore, ngjarja e rëndë ka ndodhur në vitin 2011, ku efektivi i policisë Arben Doçi, sapo kishte lënë shërbimin si roje pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe po largohej në banesë.

Gjatë rrugës, ka takuar dy të rinj të cilët e kanë ndaluar me makinë, duke i kërkuar ndihmë për ti çuar deri në banesë. Punonjësi i policisë, Arben Doçi, ka pranuar dhe ka marrë në makinë dy personat që sot janë arrestuar.

Pasi janë afruar në një banesë që ndodhet në zonën e Mamurrasit, Elsoni dhe Fatjoni, e kanë orientuar punonjësin e policisë që të hyjë në një rrugicë, që ndodhej larg syrit të kureshtarëve.

Pasi kanë zbritur nga makina, njëri prej kushërinjve Bushgjoka, i ka pohuar punonjësit të policisë se i kishtë rënë goma e makinës. Ai ka dalë nga mjeti për të parë gomën dhe sapo është përkulur drejt gomës, Fatjon Bushgjoka e ka qëlluar me një levë hekuri disa herë duke e lënë pa ndjenja, shkruan ora.

Polici është marrë dhe hedhur në një kanal aty pranë, pasi dy personat kanë menduar se ai kishte vdekur. Ndërkohë nga ana tjetër dy personat e arrestuar, i kanë grabitur sendet personale, armën e shërbimit dhe automjetin. Pas disa orë qëndrimi në agoni, punonjësi i policisë ka mundur ta marë veten dhe të përmendet duke depozituar më pas kallëzim penal.

Çështja në atë kohë u hetua fillimisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, por hetimet nuk sollën asnjë rezultat. Veprimet hetimore janë riaktivizuar sërish, ku tashmë pas 9 viteve nga ngjarja, është bërë e mundur identifikimi, lokalizimi dhe arrestimi i Elson dhe Fatjon Bushkola të dy nga Kamza.

Njëri nga personat e arrestuar ka pranuar autorësinë e krimit, duke treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes. Pritet që në ditët në vijim dy kushërinjtë Bushgjoka të dalin para Gjykatës së Laçit për tu njohur me masën e sigurisë “arrest në burg”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu