Një akt çnjerëzor e ka quajtur përfaqësuesi i avokatit te Popullit, Besmir Billa mbytjen e 2 qenve pranë Bashkisë Kukës. Bëhet fjalë për 2 qen të gjendur mëngjesin e sotëm njëri i ngordhur dhe tjetri në grahmat e fundit të jetës, të cilët dyshohen të jenë helmuar nga punonjës të Bashkisë, sipas disa banorëve të ndodhur aty pranë.
Nga ana tjetër, Billa shpjegon se ka kontaktuar Bashkinë Kukës dhe i është thenë që kjo nuk mund të jetë bërë nga punonjësit e Bashkisë. Ai risjell në vemendje se me ndryshimet e Kodit Penal. “Keqtrajtimi i kafshëve” klasifikohet si vepër penale dhe dënohet deri në 6 muaj burg.
Reagimi i Besmir Billës:
Kujdes! Mos e shikoni nëse jeni të ndjeshëm ndaj kafshëve! Një ditë jo e mirë nisi sot. Në hyrje të Godinës së Shërbimeve Sociale të Bashkisë Kukës, janë parë 2 qenë të helmur, ku njëri prej tyre nuk nuk jetonte më.
-Banorë dhe qytetarë që ishin aty pranë shprehen se kanë parë një person në mëngjes teksa i ka lidhur e helmuar dhe dyshojnë se ka qenë një punonjës i Bashkisë Kukës.
-Nga ana tjetër, nga kontakti me drejtorin përkatës të Bashkisë, ai u shpreh se nuk ka mundësi që ta ketë bërë një punonjës i Bashkisë dhe se shumë shpejt qentë do largohen nga ambientet.
Theksoj se me ndryshimet e fundit të Kodit Penal, “Keqtrajtimi i kafshëve” është vepër penale dhe parashikohet nga neni 207/c i tij, ku dënimi për rastet kur si pasojë vjen vdekja e kafshës, parashikohet deri në 6 muaj burgim.
Ndonëse qentë e braktisur mund të jenë rrezik për shoqërinë, helmimi i tyre, dhe
sidomos në brendësi të një godine aq të rëndësishme, ku ka prani të qytetarëve dhe fëmijëve, nuk e justifikon qëllimin dhe s’është asgjë tjetër, veçse një akt çnjerëzor dhe barbar.
Ka shumë mënyra të tjera të ligjshme se si qentë e braktisur dhe të rrezikshëm, mund të lokalizohen dhe të bëhen të parrezikshmëm për shoqërinë.
Turp për këtë gjest të ulët!
(Kushdo që mund ta ketë bërë këtë akt)