Riciklonin para të fituara nga aktivitete të paligjshme duke blerë aktivitetet të pastra.
Gjatë operacionit te koduar ‘Shah Mat’, Guardia di Finanza ka denoncuar sot katër shqiptarë, duke u sekuestruar edhe pasuri me vlerë plot 6 milion euro: 8 bare të zinxhir ‘King’s Coffee’ dhe një sallë lojërash, të gjitha në Torino; tri makina luksoze (një Audi R8, një Porsche Macan, një Range Rover Evoque, të gjitha të blera kohët e fundit), shoqëri dhe para cash.
Hetimet, të koordinuara nga prokurori Cesare Parodi i Prokurorisë së Torinos, janë kryer nga bërthama e policisë ekonomiko-financiare e Torinos, duke ndjekur disa sinjalizime për operacione të dyshimta të kryera nga ndërmjetës financiarë që tregonin lëvizje të rëndësishme parash nga persona në dukje pa të ardhura por me nivel të lartë jetese.
Të dyshuarit, sipas akuzës, shmangën nga taksat deri në 80% të të ardhurave, duke udhëzuar me detaje personelin për regjistrimin e të ardhurave efektive. Në tre vjet kanë arritur të shmangin taksat për mbi 2 milionë euro të ardhura, që shkojnë në rreth 800 mijë euro.
Në këtë mënyrë, të dyshuarit përfitonin shuma të mëdha që i riciklonin me blerjen e aktiviteteve të reja, makina sportive e objekte luksi. Nivelin e lartë të jetesës e pasqyronin në rrjetet sociale, me foto në vende turistike e me makina jashtë serie.
Gjatë kontrolleve të shumtë, janë sekuestruar tufa kartëmonedhash 200 e 500 euro të fshehura mes veshjeve e kuti këpucësh.