Ditën e sotme u realizua mbyllja e projektit mbi parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Qarkun e Elbasanit, ku si qëllim kryesor kishte “Ndërtimi i komuniteteve të sigurta dhe të qëndrueshme ndaj ekstremizmit të dhunshëm nëpërmjet aktivizimit të të rinjve në parandalimin dhe luftën ndaj tij”.
Të pranishëm ishin përfaqësues të kulteve fetare, dhe të institucioneve vendore. Kryebashkiaku Gledian Llatja tha se ky projekt ka sjelle një jehonë e ndikim në të gjithë qarkun sidomos në ato zona që kanë pasur një rrezikshmëri të lartë.
Krahas tij drejtoresha e zyrës Arsimore Vendore Elbasan Anila Cota u shpreh se kanë punuar jo vetëm me nxënësit por kanë vazhduar edhe me stafin pedagogjik dhe me prindërit , të cilët janë një pjesë mjaft e nevojshme për edukimin e shoqërisë.
Ndërsa përfaqësuesi i komuniteteve fetare të QBNF At Stavri Cipi thotë se puna e kryer ndaj ekstremizmit të dhunshëm ka qenë mjaft intensive por jo e mjaftueshme, pasi për ekstremizmin e dhunshëm i cili nuk është i dukshëm por i fshehur duhet punuar cdo ditë.
Duke patur parasysh se qarku i Elbasanit ka qenë nga më të prekurit me individë e familje të përfshira në rradhët e ISIS nuk duhet humbur vigjilenca dhe angazhimi në drejtim të parandalimit të fenomeneve dhe shkaqeve që çojnë në radikalizim apo më keq akoma në përfshirje në ekstremizëm të dhunshëm.
Ndaj në aktivitetet e zhvilluara angazhohen të rinj e të reja në Qarkun e Elbasanit, sidomos nga zonat periferike, për të penguar që në gjenezë fenomenin e ekstremizmit te dhunshem.
Infowebtv