Florind Shabani, njeriu që prokuroria e Elbasanit thotë se ka marrë pjesë në vrasjen e Roland Rexhepit, rezulton të jetë person me rekorde të përsëritura kriminale në qytetin e Elbasanit. Momentalisht, Florind Shabani, ndodhet në një burg të Gjermanisë, ndërsa në Shqipëri kanë nisur procedurat e ekstradimit të tij.
“Ora News” ka mësuar se Shabani në 30 shtator 2017, ka dhunuar babanë e tij në ambientet e familjes, duke bërë që gjykata në datën 9 shkurt 2018 ta dënojë Shabanin me 4 muaj burgim. Sipas rrëfimit të babait të tij, ai ka treguar se jeton me djalin, Florind Shabani, pasi bashkëshortja kishte rreth 2 javë që ishte larguar nga banesa për arsye se djali i tyre Florindi, është përdorues i lëndëve narkotike dhe ka ushtruar dhunë ndaj saj.
Ai i ka bërë presion nënës së tij që të ndahet nga bashkëshorti, si dhe u ka thënë: “…se do t’ju nxjerr nga shtëpia, do t’ju le në rrugë…”. Më tej në rrëfimin që babai i Florindit ka dhënë në gjykatë ai ka treguar se në datën 30 shtator 2017,ka qenë në ambientet e shtëpisë dhe kanë debatuar me njëri-tjetrin dhe Florindi, e ka goditur në trup, duke e rrëzuar në tokë pa ndjenja. Ndërsa vetë Florind Shabani, ka pohuar para gjykatës se ai ka qenë i dehur pasi kishte konsumuar pije alkoolike. “…Jemi fyer me njëri-tjetrin dhe në momentin, kur babai ka tentuar të më mbyllë në banjo, unë e kam shtyrë duke e rrëzuar…”.
Ndërkohë në 24 janar 2011, gjyqtarja Pajtime Fetahu, e ka dënuar Florind Shabanin me 600 mijë lekë të vjetra gjobë, për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve të ftohta”. Gjithashtu në 3 nëntor të vitit 2011, Shabani rezulton të jetë dënuar me 1 milion e 500 mijë lekë të vjetra gjobë, për akuzën e “Fyerjes për shkak të detyrës” në dëm të disa policëve dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”. Tre muaj më vonë pas këtij vendimi, Florind Shabani është deklaruar fajtor dhe dënuar me 5 vite burgim për akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Shabani u dënua përfundimisht me 3 vite e 4 muaj burgim. Në 11 qershor 2013, Florind Shabani rezulton të jetë dënuar me 3 muaj burgim nga gjykata e Elbasanit për akuzën e “Plagosjes së lehtë me dashje” në dëm të shtetasit Kujtim Zhguni.
Tashmë Florind Shabanit do ti duhet të japi llogari për një ngjarje të rëndë siç është ajo e vrasjes së Roland Rexhepit e kryer në 29 korrik 2009. Ku nëse do të provohet akuza rrezikon një dënim nga 23 deri në 25 vite burgim.