TIRANË– Një familje ruse me katër anëtrë u shua mbrëmjen e 15 tetorit në një resort luksoz në zonën e Qerretit, ngjarje e cila është mbuluar me shumë pikëpyetje. Ndërkohë që ekspertiza mjeko-ligjore nuk ka dhënë ende shkakun e vdekjes së katër turistëve që i përkisnin të njëjtës familje, një tjetër pyetje që s’ka marrë ende përgjigje është: Me çfarë ishin angazhuar rusët?
Dyshimi se të katër turistët Sergey Burenkov, 60 vjeç, e shoqja Natalya Burenkova, 58 vjeç, vajza e tyre 31 vjeçare Katya dhe partneri i saj Nikita Belousov, 37 vjeç mund të kenë qenë agjentë rusë, ekziston ende.
Sot dolën edhe rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore. Këto rezultate kanë nxjerrë në pah se turistët rusë nuk kishin konsumuar lëndë narkotike dhe se në trupin e tyre nuk janë konstatuar shenja dhune. Por, shkaku që u solli vdekjen, nuk dihet ende.
Trupat e viktimave u gjetën në pishinën dimërore të hotelit “Gloria Palace” në Qerret. Fillimisht u tha se turistët ishin asfiksuar në sauna, apo kishin konsumuar shumë kokainë, por nga hetimet të dyja këto teori u hodhën poshtë. Tashmë zyrtarisht po hetohet për vrasje.