Bashkëshortja e Lulzim Bitrit, i vrarë në atentat në Elbasan së bashku me Ardian Çollakun, ka folur ditën e sotme për mikrofonin e emisionit “Shqipëria Live”.
Gjatë intervistës ekskluzive, ajo hodhi poshtë akuzat ndaj bashkëshortit të saj të ndjerë, duke e cilësuar atë të pafajshëm. Sipas saj, Lulzimi ka qenë në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar.
Ndër të tjera, ajo shton se atentati nuk ka qenë për Bitrin dhe se ai ka marrë vetëm një plumb në zemër.
Rrëfimi i bashkëshortes së Lulzim Bitrit:
Është shumë e vështirë, dhimbje shumë e madhe. Ishte shumë befasi, shokuese. Nuk e prisnim. Ai kurrë nuk ka pasur zënka dhe hasmëri me askënd.
Në vrasjen në Tetovë, ai ka qenë thjesht kalimtar. Ai kurrë nuk ka bërë vrasje, kush është ai shtet që të dënon me 4 muaj për një vrasje? Lulzimi nuk ka qenë i përfshirë me asnjë bandë kriminale në Elbasan, ku janë dosjet?
Ishte njeri pa probleme, nuk mendoj se ishte ai epiqendra e atentatit. Nuk e di marrëdhënien e tij me Ardian Çollakun, nuk e njihnim.
Po të ishte ai, do ia bënin kur të donte në mes të lagjes. Ishte pa makinë pothuajse një vit. Kushëriri ka ardhur për ta marrë në shtëpi, për të pirë një kafe. Ishin duke pirë një cigare jashtë, kur i kanë goditur me armë, Luli ka marrë një plumb në zemër. Ka qenë në vendin e gabuar.
Lulzimi nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e Everest Çakaj, ka qenë në Kosovë në atë kohë. Ndërsa Talo Çela ka qenë komshi i yni, por kishte vite pa u takuar me të.
Përmendin njerëz që ne as nuk i njohim. A mban kush përgjegjësi për emrat që flasin, nëse familjes time i ndodh ndonjë gjë?
Si ndodhi ekzekutimi
23 gëzhoja plumbash gjeti policia në vendin e ngjarjes ndërsa mësohet se autorët të cilët ishin të maskuar janë larguar me shpejtësi, braktisën mjetin dhe e dogjën në fshatin Balldren të Elbasanit e më tej nuk dihet asgjë për identitetin e tyre.
Duket se atentati ka qenë i mirëorganizuar. Autorët ishin në pritje të Ardian Çollakut dhe Lulzim Bitrit e sapo këta të fundit kanë parkuar makinën për t’u ulur në një bar pranë pikës së karburantit janë qëlluar me breshëri.
Viktimat nuk ishin të panjohura për drejtësinë shqiptare. Ardjan Çollaku ishte dënuar më parë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, dhunë në familje, aksident me pasojë vdekjen etj. Babai i dy fëmijëve njihej edhe me mbiemrin Subashi dhe duket se ka qenë i përfshirë edhe në rrjetin e prostitucionit në Itali.
Nga ana tjetër 43 vjeçari Lulzim Bitri dyshohej si i përfshirë në një vrasje të ndodhur në Tetovë para disa vitesh, gjë që e shoqja e mohoi./Shqip