Zbardhet se si qëndron e vërteta e lajmit të dhunimit të pastrueses nga punëdhënësi në Elbasan.
Para tre ditësh disa media publikuan lajmin se ‘punëdhënësi bëri për spital pastruesen pasi nuk i pëlqeu larja e pishinës”.
Sipas lajmit, gruaja me inicialet Sh. K 38 vjeçe, përfundoi në reanimacion në Spitalin Ushtarak në Tiranë për shkak të plagëve të marra.
Infowebtv u interesua për rastin në fjalë duke kontaktuar direkt gruan me banim në periferi të Elbasanit.
E pyetur lidhur me ngjarjen, Sh.K ka mohuar kategorikisht që të jetë dhunuar nga pronari. “nuk është aspak e vërtetë. Nuk di kush i ka sajuar këto gjëra. Atë ditë unë bashkë me dy shoqe të tjera shkuam të pastrojmë pishinën. Në një moment unë rrëshqita për shkak të lagështirës dhe rashë në beton. Që nga ai moment nuk mbaj mend më asgjë. Kam rënë pa ndjenja. Më pas më kanë transportuar për në spital. Ato që thuhen në media janë të pavërteta. Përkundrazi, mua familja e pronarit më ka ndihmuar duke u kujdesur për gjendjen time shëndetësore. Pra unë rrëshqita e rashë e kjo nuk ka aspak lidhje me pronarin siç lexuam në disa media. Unë i hedh poshtë dhe i përgënjeshtroj këto sajime. Nuk di kush i ka bërë, por e vërteta është si po ju them. Aludime të tilla na fusin në sherr për gjëra që nuk ekzistojnë. Duam të jemi të qetë në hallin tonë”