Një i ri nga Korça i cili vuan dënimin në burgun e Idrizovës në Shkup të Maqedonisë së Veriut nëpërmjet një video mesazhi ka denoncuar gjendjen skandaloze të kushteve në të cilat ata vuajnë dënimin.
I riu me inicialet I.P i dënuar me 6 vjet burg për trafikim lëndësh narkotike shprehet se vuajnë dënimin në kushte shumë të vështira, pa higjenë dhe ushqim.
“Ushqimi është i parregullt, mungesa higjenike, mos zbatimi i rregullores nga personeli ndaj të huajve. Kemi tortura psikik.”– shprehet ai.
Ai shkon më tej kur thotë se edhe me familjarët e tyre nuk mund të flasin në telefon pasi në burg nuk ka kabina telefonike dhe detyrohen të blejnë telefona deri në 1000 € që të flasin me të afërmit.
“Ligji përmban që i dënuari të ketë komunikimi me familje por për fat të keq nuk ka telefona burgu që të kontaktosh me familjen që të dimë nëse janë gjallë apo jo.”- shprehet ai.
Ndër të tjera ai thotë se në një dhomë ku duhet të qëndrojnë 4 veta janë 9 ose 10. Sipas tij të burgosurit nuk marrin shërbimin mjekësor.
“Pika më kryesore është se nuk na japin ushqim, edhe pse shteti ynë paguan. Sjellin një kokërr vezë të prishur. Nuk ka mjekësi. Kam shumë shokë që vuajnë nga sëmundja dhe nuk trajtohen dot.”
I riu tregon se i kanë bërë një thirrje ambasadës shqiptare në Maqedoni për ndërhyrje në lidhje me situatën ku ndodhen por që s’kanë marrë përgjigje.
“I kemi bërë thirrje Ambasadës sonë por na ka kthyer përgjigje qesharake. Po na mohen të drejtat.”
Elementët dhe masat e sigurisë në këtë burg janë përtokë pasi siguria në këtë burg nuk funksionon.
“Në çdo moment mund të hyjë dikush në dhomë dhe mund të të vrasë, ose mund të vesh ti të vrasësh dikë. Jeta jonë është në rrezik çdo minutë. Jam dënuar 6 vite, kam bërë një gabim për bukën e gojës. Nuk e kam ndërmend që të shtojë dënimin duke u bërë kriminel sepse më detyrojnë këto. Shteti jonë të marrë masa. ”– thotë ai.
Ai thotë se të gjithë aty janë të vetëdijshëm për veprat që kanë kryer por kushtet në të cilat vuajnë dënimin nuk janë aspak normale ndërsa i ka kërkuar ndihmë shtetit shqiptar.
Në këtë burg janë rreth 60 shqiptarë nga Shqipëria e Kosova krahas të burgosurve të tjerë.