Nafta është sektori që xhiron më shumë para në vend. Në vitin 2020, qarkullimi vjetor i 18 shoqërive më të mëdha të tregtimit me shumicë e pakicë të hidrokarbureve ishte 135 miliardë lekë (me tkurrje prej 23% me bazë vjetore), duke përbërë 13% të qarkullimit vjetor të 200 sipërmarrjeve më të mëdha në vend, në renditjen tjetër të “Monitor 200, sipas të ardhurave”.
JuSugjerojmë
No Content Available
Por, në renditjen tjetër “Monitor 200, sipas fitimeve”, sipërmarrësit e naftës pozicionohen shumë më poshtë. Ata janë me pikatore dhe raportojnë norma shumë të ulëta kthimi, 0.5-3%, duke qenë sektori më pak fitimprurës në ekonomi. Në tregun e pakicës, norma është pak më e lartë, arrin në 4 – 6%.
Luigj Aliaj, nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, thotë se normat e ulëta të fitimit nuk janë një tendencë shqiptare, por globale. “Në të gjithë botën, për këtë luhet nafta, për cent. Janë miliona tonelata dhe fitimi lëviz me cent. Në naftë fitojnë prodhuesit dhe fondet që luajnë dhe spekulojnë në bursë. Çmimet sot i lëvizin aksionet e bursave”. Ai shton se tregtimi i karburanteve është sektori më i fiskalizuar, “që kur vjen dhe deri kur derdhet në pompë është fiskalizim online”.
Pas një rritjeje të normave të fitimit në 2019-n (pasi ulja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare nuk reflektohet me të njëjtin ritëm dhe kohë në tregun vendas dhe kjo çon në rritjen e normave të fitimit), në 2020 kompanitë kanë vuajtur rënien e konsumit dhe marzheve të kthimit.
Në renditjen e “100 më të mëdhenjve, sipas fitimeve”, është vetëm “Kastrati” (shumicë dhe pakicë), ndërsa “Bolv Oil”, “Genklaudis”, “Gega Center” renditen pas pozicionit të 100.
“Kastrati Group sh.a.”, është i 11-i në renditjen e “Monitor 200, sipas fitimeve”. Norma e kthimit u ul nga 2.9 në 2.3% në vitin 2020, e ndikuar nga situata e pandemisë. “Kastrati”, tregtuesi me pakicë, ka pasur gjithnjë një normë më të lartë, që për 2020-n mbeti e qëndrueshme në 5.9%.
Operatori tjetër i shumicës, “Bolv Oil”, ka raportuar një normë fitimi para taksave prej 3.1%, njësoj me 2019-n. Për “Gega OIl”, norma e fitimit u rrit në 3.7%, nga 2.1% vitin e mëparshëm. “Gega Oil Group” (ish-Genklaudis”), raportoi një normë minimale prej 0.75%.
PANDEMIA UL FITIMET E DISTRIBUTORËVE
Segmenti i distributorëve, i përqendruar në tregtinë me shumicë të mallrave që lëvizin shpejt nga rafti, raportoi përkeqësim të nivelit të përfitueshmërisë, për pjesën më të madhe të operatorëve që veprojnë në këtë segment, i ndikuar nga ndryshimi i sjelljes konsumatore si rrjedhojë e pandemisë. Konsumi final i popullatës, sipas të dhënave të INSTAT, shënoi rënie me 2.3%, duke zbritur në territor negativ për herë të parë në të paktën dy dekada.
Karantina e mars-majit orientoi konsumatorët drejt mallrave të shportës. Mbyllja e bareve e restoranteve reduktoi konsumin e pijeve të ndryshme.
Pothuajse të gjithë operatorët në këtë segment raportuan rënie të të ardhurave, që varion nga -5 në -16%. Në linjë me tkurrjen e të ardhurave, u reduktuan edhe fitimet e normat e kthimit, në një segment që përgjithësisht vepron me marzhe të ulëta.
“AGNA”, kompania më e madhe distributore, ka deklaruar një fitim prej rreth 532 milionë lekësh (rënie 19%), me një normë prej 3.6%, nga 4.2% një vit më parë. “Alfa sh.a.”, pjesë e të njëjtit grup me AGNA, pa një tkurrje të fitimeve në 396 milionë lekë, me një normë kthimi prej 4% (nga 4.9% vitin e mëparshëm).
“Marketing & Distribution” raportoi rënie të fitimeve me 27%, në 219 milionë lekë. Edhe norma e fitimit ra lehtë në 2.9%, nga 3.5% vitin e mëparshëm. “Inter Distribution Service” ka deklaruar rënie të fitimeve me 17%, në 208 milionë lekë, me normë fitimi prej 1.6%, me rënie të lehtë nga një vit më parë.
“Albanian Distribution & Development” rezulton një nga më fitimprurëset në këtë segment, me një normë të qëndrueshme fitimi prej 15.8%, në rritje nga 14.7% vitin e mëparshëm. Ndonëse të ardhurat ranë me 16.2%, kompania arriti të reduktojë shpenzimet me ritme më të larta, duke sjellë përmirësimin e normës së kthimit. Fitimet në vlerë, gjithsesi u tkurrën me gati 10%).
Kthime të larta raporton dhe “Interbrands” prej 12%, por rritje prej gati 3 pikë përqindjeje në raport me vitin e kaluar. Fitimet arritën në 226 milionë lekë, me zgjerim vjetor prej 21%, ndër të paktat me rritje në këtë segment. Më fitimprurësja në 2020-n vijoi të jetë, për të katërtin vit radhazi, “Inter Trade & Distribution”, norma e përfitueshmërisë e së cilës ishte 17.7%, e njëjtë me vitin e mëparshëm. Pozitive ishte 2020-a edhe për “Elka sa”. Kompania pa një rritje të lehtë të fitimeve, në 648 milionë lekë, me një normë prej 14%.
Tregtimi i automjeteve
Tregu i automjeteve të reja në vend mbetet i nënzhvilluar, si rrjedhojë e informalitetit të lartë të atyre të vjetra, si dhe mungesës së fuqisë blerëse. Tregu i automjeteve të reja zinte rreth 5% të totalit në 2020-n, sipas të dhënave zyrtare për importet. Sipas të dhënave nga Automobile Club Albania (ACA), në vitin 2020 u targuan gjithsej 2,715 automjete të reja, nga 3,234 në 2019-n, me një tkurrje prej 16%.
Eno Zeneli, nga Automobile Club Albania (ACA), pohon se tregu ka qenë me rënie prej pandemisë. Një reagim ishte orientimi drejt makinave të lira dhe mjeteve të punës, ndërsa segmenti i luksit shënoi tkurrje në 2020-n. Ai shton se në vitin 2021 po konstatohet mungesë prodhimi në të gjithë botën dhe rritje të larta të çmimeve, që arrijnë deri në +15-20%.
Normat e fitimit të distributorëve kryesorë të automjeteve, në pjesën më të madhe, erdhën në rënie në 2020-n. Normat e fitimit të distributorëve luhaten në rreth 4 – 6%, ku më fitimprurësit në vitin 2020-n janë “Mektrin Motors” dhe “Auto pasion” me 6.1%.