Një 47-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje është ekstraduar nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipërisë.
Bëhet fjalë për Defrim Iseberin, i cili është arrestuar nga policia atje pasi Gjykata e Apelit Shkodër në vitin 2016 e ka dënuar me 8 vite burg për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.
Ky shtetas, më datë 16.10.1997, në Kukës, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin D. M., i cili si pasojë e plagëve të marra humbi jetën.
“Nga ZQK Interpol Tirana, falë bashkëpunimit me autoritet e Mbretërisë së Bashkuar, u krye ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit Defrim Iseberi, 47 vjeç. Ky shtetas, është arrestuar nga autoritet policore në Mbretërinë e Bashkuar në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të nxjerrë nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Apelit Shkodër, në vitin 2016, e ka dënuar me 8 vjet burgim, për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Armëmbajtje pa leje””, thuhet në njoftimin e policisë.