Ajo është një vajzë 19-vjeçare, e imët, me syze, prej tre vitesh mban burka që i zbulon vetëm sytë. Në disa aspekte, Bleona Tafallari, një italo-kosovare e arrestuar të mërkurën nga agjentët e Digos në Milano, mund të jetë njësoj si bashkëmoshatarët e saj: gjithmonë e lidhur me smartfonin e saj, ku edhe kalonte orë pafund.
Veç që në vend të “emojive”, mesazhet e saj ishin të mbushura me emoticon me flamurin e zi të ISIS-it dhe imazhe dhe video të prerjeve të kokave dhe mizorive të ndryshme të kryera nga ndjekësit e Kalifatit. Dhe “miqtë” e saj, të gjithë kosovarë, të gjithë të etur për të luftuar. Bleona shoqërohej me vajza dhe gra, me të cilat pavarësisht moshës së saj shumë të re, nuk hezitoi t’i këshillonte, t’i bindte apo t’i qortonte, nëse nuk i zbatonin urdhërimet fetare sipas shkronjës.
“Nusja Pelegrine” – pseudonimi i përdorur në më shumë se 2 mijë biseda të zhvilluara në Telegram. Kohët e fundit ajo kishte dalë nga shtëpia vetëm për të rinovuar kartën e identitetit dhe për t’u vaksinuar, kjo për të minimizuar rrezikun e “ndotjes” me jobesimtarët. Edhe prania e saj si mysafire në një apartament të vogël në Via Padova, ku vëllai i saj jeton me një shok të tij, e bëri atë të mos ndihej rehat: Jam e detyruar të rri në shtëpi me të pafe. Kështu i tha ajo një shoqeje. E rritur në Itali, në Isernia, në një familje kosovare, Bleona u radikalizua në moshën 16-vjeçare.
“Kam tre vjet me burka dhe gjithmonë mundohen të ma heqin, por pa dobi”,-shkruante ajo në një bisedë me një tjetër kosovare shumë të re, me nofkën “Zana”, 16 vjeç.
“I kam çmendur”, shton ajo duke iu referuar familjes së saj: Prindërit e mi as nuk falen. Ajo e kishte realizuar martesën e saj të ëndrrave në janar, nën “drejtimin” e imamit Nehrudin Skënderi (i arrestuar së fundmi në një bastisje të policisë kosovare për të penguar një sulm të mundshëm). Ajo ishte martuar me “burrin e saj me mjekër”, një ushtar i Xhihadit, i cili ishte në gjendje ta shihte në sy vetëm ditën e dasmës. Bleona Tafallari kishte arritur në Kosovës në Janar të këtij viti dhe ishte martuar me Perparim Veliqin (21 vjeçar) nën drejtimin e hoxhës Nuhredin Skënderi.
Skënderi është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet se bashkë me disa të tjerë ishte duke përgatitur sulm terrorist në Kosovë. Prokuroria italiane e akuzon Tafallarin për terrorizëm ndërkombëtar, meqë sipas tyre ajo është pjesë e organizatë “Luanët e Ballkanit”, derisa ishte në kontakt me një prej kokave të ISIS-it në Kosovë.