Rikthimi në shkollë si mësues, i një personi të dënuar për “pedofili” dhe “ngacmim seksual” të fëmijëve, ka bërë që ministria e Arsimit të marrë masa të tjera.
Evis Kushi ka firmosuar një urdhër që ndalon aplikimin dhe konkurrimin për të punuar si mësues të personave të dënuar për kryerjen e një vepre penale kundrejt të miturve.
“Duke marrë shkas nga rasti i fundit i punësimit në Berat të një mësuesi që shkaktoi zemërim të lartë publik, sot firmosa menjëherë ndryshimin e udhëzimit që ndalon aplikimin dhe konkurrimin për të punuar si mësues të personave të dënuar, për të cilët gjykata ka marrë vendim të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale kundrejt të miturve apo për kryerjen e një vepre penale që lidhet me institucionet arsimore.
Ky vendim shmang rrezikun që mund t’i vijë nxënësve tanë nga persona që nuk garantojnë integritet të lartë moral dhe ligjor. Angazhohemi që të vijojmë me një punë akoma më intensive për të ndërmarrë iniciativa të tjera ligjore që garantojnë më shumë mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve tanë” shkruan ministrja.
Prej disa ditësh, Engjëllush Bregu, një ish-mësues fizike dhe informatike, ishte rikthyer në punë në shkollën “22 Tetori” në Berat. 12 vite pasi ishte dënuar për “pedofili” dhe “ngacmim seksual” të fëmijëve, ai arriti të penetronte sërish në arsim, por ishin prindërit me memorie të fortë që e “shkarkuan” nga puna.