Gati një vit pasi tre djem të rinj u zhdukën afër shtëpive të tyre në veri të Rio de Janeiros, policia braziliane i ka akuzuar pjesëtarët e bandës më të madhe të drogës në qytet për vrasjen e fëmijëve si hakmarrje për vjedhjen e një zogu.
Djemtë e moshës 9, 11 dhe 12-vjeçare ishin zhdukur pasditen e 27 dhjetorit të vitit të kaluar, pasi ishin larguar nga shtëpitë për të luajtur. Ata ishin parë për herë të fundit në pamjet e kamerave të sigurisë duke ecur drejt një tregu të rrugës.
Ajo që u kishte ndodhur Lukasit, Fernandos e Aleksandrit kishte mbetur mister, pavarësisht reagimeve të shumta dhe hetimeve të gjera të policisë. Të enjten, megjithatë, hetuesit pretenduan se më në fund e kanë zbuluar rastin, duke thënë se fëmijët ishin rrëmbyer nga pjesëtarët e bandës “Komanda e Kuqe”, që e ka kontrollin në komunitetin ku jetonin fëmijët.
Zyrtari i lartë policor për hetimin e vrasjeve, Uriel Alcantara, tha se fëmijët ishin torturuar dhe ishin dënuar me rrahje, gjatë së cilës njëri prej tyre kishte vdekur, nën dushimin se ia kishte vjedhur një zog dajës së një gangsteri vendës. “Ata i rrahën fëmijët dhe përfunduan duke e vrarë njërin prej tyre, prandaj vendosën se zgjidhja është që t’i ekzekutojnë edhe dy të tjerët”, tha Alcantara.
Vrasja e këtyre fëmijëve e kishte shpërfaqur dhunën e pamëshirshme që është plagë e zonave të varfra të Rios, ku autoritetet në masë të konsiderueshme ua kanë dorëzuar kontrollin të armatosurve të angazhuar nga grupet e drogës ose bandat paramilitare, shkruan The Guardian, përcjell Gazeta Express.
Policia braziliane pretendon se një trafikuese e drogës, Ana Paula da Rosa Costa, e njohur edhe si “Teze Paula”, e kishte organizuar largimin e trupave të pajetë të fëmijëve, copëtimin e tyre dhe hedhjen në lumë. Trupat e fëmijëve ende nuk janë gjetur.
Gjatë hetimeve, një dëshmitar raportohet se ka pretenduar që e ka dëgjuar njërin nga shefat e drogës, Wille Castro da Silva, duke pranuar: “Ne i kemi fëmijët dhe ne i kemi vrarë ata”.