
Shkarkimi i Alfred Rushajt nga funksioni i n/kryetarit të Partisë Demokratike dhe kreut të grupit parlamentar sipas kryedemokratit Lulzim Basha është kryer me dakordësi nga dy palët. Mirëpo kjo është kthyer në një enigmë.
Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku Rushaj mungonte, Basha deklaroi se me dakordësinë e Rushajt është pranuar që ky i fundit të shkarkohet nga dy funksionet e sipërpërmendura në partinë më të madhe opozitare. Madje, dyshimet rreth shkaqeve reale të shkarkimit të Rushajt shtohen teksa Basha tha sot se mungesa e tij vinte për arsye shëndetësore.
Por, Dosja.al mëson se Rushaj që prej datës 8 janar kur u organizua protesta në godinën e Partisë Demokratike, nuk është paraqitur në selinë blu. Duke parë këtë sjellje të tij, krijohen mosbesim rreth shkaqeve reale që kryedemokrati Basha përmendi për shkarkimin e Alfred Rushajt nga funksioni i n/kryetarit të PD dhe kreut të grupit parlamentar demokrat.
Heshtja e Rushajt për ngjarjet e javës së fundit në selinë blu të lë dyshime se ai është distancuar nga kryedemokrati Basha dhe vendimet e tij. Dosja.al ka kontaktuar Rushajn për këtë ndryshim që sapo u bë i ditur brenda Partisë Demokratike. Mbetemi në pritje të përgjigjes së tij, nëse është larguar me dakodësi apo ka dhënë dorëheqjen…