Një rregullore e re e brendshme është miratuar ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, në vijim të masave të marra nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha për të ‘fortifikuar’ më tej pozicionin e tij në krye të partisë.
Në rregulloren e plotë që u miratua diten e sotme, parashikohet një zëvendësim i anëtarëve të Këshillit Komëbtar, të cilët mungojnë pa arsye në 3 mbledhje radhazi.
Në fakt ky ndryshim në rregullore duket se do të prekë më së shumti rreth 200 anëtarë të Këshillit Komëbtar që nuk morën pjesë në mbledhjen e 12 dhjetorit. Në atë takim ishin prezentë 291 anëtarë nga 484 gjithsej dhe këto mungesa u panë si një përkrahje për ish-Kryeministrin Berisha.
“Mbledhjet janë të vlefshme kur në to marrin pjesë mbi 50% e anëtarëve me të drejtë vote me përjashtim të rasteve, kur në Statut parashikohet një shumicë më e madhe se kjo për marrjen e një vendimi dhe ai është parashikuar në rend dite. 2. Mungesa, pa asnjë shkak të ligjshëm dhe pa njoftim paraprak, në tre mbledhje rradhazi, i anëtarëve të zgjedhur të Këshillit Kombëtar, përbën shkak për zëvendësimin e tij me listën vijuese të anëtarëve të votuar nga Kuvendi Kombëtar i Partisë. 3. Konstatimi i mbarimit të mandatit për shkak të mungesave në mbledhje pa asnjë shkak të ligjshëm dhe pa njoftim paraprak, bëhet me vendim të Kryesisë së Partisë, pas raportimit me shkrim të Sekretarit të Përgjithshëm”, thuhet në rregulloren e re.