Arrestimi i 51-vjeçarit shqiptaro-amerikan Renato Hajmeli në Rinas, pasi iu gjet një armë zjarri e fishekë në valixhe, ka ngritur pikëpyetje lidhur me sigurinë në aeroporte. Hajmeli u kap më 13 janar në Rinas, pasi kaloi pa asnjë problem sigurinë në aeroportin e Hjustonit në Amerikë dhe atë të Lutonit në Britaninë e Madhe. Ndërkohë që në valixhe kishte një pistoletë tip “Colt” dhe 125 fishekë në valixhe.
Për të mësuar më shumë lidhur me mënyrën sesi ai ka kaluar sigurinë, autoritetet shqiptare kanë kërkuar bashkëpunimin e FBI-së amerikane (Byroja Federale e Hetimit) dhe NCA-së britanike (Agjencia Kundër Krimit të Organizuar) për të ndihmuar në hetimin e 51-vjeçarit.
Deri më tani dihet se Remato Hajmeli, i lindur në Tiranë, udhëtonte drejt Rinasit me një pasaportë italiane shoqëruar me një leje të përhershme qëndrimi në SHBA. Po ashtu, nga të dhënat që ai vetë ka publikuar në rrjetet e tij sociale, mësohet se kishte punuar në Postën Shtetërore Amerikane për një kohë të gjatë, ndërsa tani merrej me menaxhimin e një restoranti në Teksas.
Gjithashtu, nuk rezulton një person me precedentë penalë për Policinë Shqiptare, duke e lënë enigmë arsyen se përse udhëtonte me armë dhe me 125 fishekë. Ndërkohë që në Teksas, posedimi i armëve të zjarrit për të gjithë shtetasit mbi 21 vjeç është i ligjshëm, por në Shqipëri akuzohet për kryerjen e veprave penale “armëmbajtje pa leje” dhe “trafik armësh”.