Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka nxjerrë veten zbuluar duke dashur që të vijojë përplasjen publike me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Teksa po jepte një intervistë për “Kjo Javë”, në debat e sipër, Paloka tha se në Kuvendin e korrikut në sallë nuk ishin as 1000 vetë për të rikonfirmuar Bashën në krye të Partisë, ndërsa pranoi edhe manipulimin e votave në favor të tij, duke treguar për herë të parë sesi funksion PD-ja. Por pikërisht për këto “lëshime”, duket se Paloka ndjehet në faj, ndaj dhe nuk del shumë aktiv në krah të ish-kryeministrit Sali Berisha. Kjo pasi sipas tij, edhe ai ka përgjegjësi se përse Basha është në krye të selisë blu, edhe pse për asnjë moment nuk e pranon që është më kryetar i zgjedhur.
“Unë kam qenë nënkryetar i asaj partie, dhe për fat të keq jam pjesë e fajit të kësaj që po ndodh sot. Dhe nuk kam angazhimin total edhe të kësaj lëvizje që po ndodh sot. Kam qenë nënkryetar e kam përgjegjësitë e mia, për çfarë ka ndodhur. I kam pranuar këto karagjozllëqe me kuvendin e korrikut. Prandaj dhe nuk jam aktiv, sepse më vjen zor të shkoj dhe të përballem me demokratët pasi do më thonë, ti po na thua tani për Bashën, kur më parë na the të manipulonim votat për të? E kanë bërë të gjitha strukturat e PD-së Nisida dhe prandaj nuk mund të angazhohem më shumë me Komisionin e Rithemelimit. Jam përgjegjës i kësaj situate të rëndë që ndodhet PD-ja. Më thoshin edhe shokët e mi ‘ai ka biznese me Ramën’, por në asnjë moment nuk i kam besuar. Isha naiv!,”-tha Paloka në fjalën e tij.
Ndërkohë që pas deklaratës së tij të fortë, nuk ka ende asnjë reagim nga kandidatët e tjerë, rivalë për t’i marrë postin Bashës në zgjedhjet e fundit brenda PD. Ndër to përmendim Fatbardh Kadilin, Agron Shehajn dhe Edith Harxhi. Zgjedhjet Basha i fitoi me 81% të votave.