Çmimet e naftës po rriten, përsëri, duke rritur inflacionin dhe duke gërryer besimin e konsumatorëve. Çmimet e naftës së papërpunuar u rritën me më shumë se 15 për qind në janar, ndërsa çmimi standard global që kaloi 90 dollarë për fuçi për herë të parë në më shumë se 7 vjet, pasi u rrit frika për një pushtim rus të Ukrainës. Pse çmimet e naftës janë papritur kaq të larta? Pandemia uli çmimet e energjisë në vitin 2020, madje duke e çuar çmimin bazë të naftës në SHBA nën zero për herë të parë në histori. Por çmimet janë rritur më shpejt seç ishte parashikuar nga njohësit e fushës, kjo sepse oferta nuk përputhej me kërkesën. Po ashtu, në çmim ka ndikuar edhe fakti se kompanitë perëndimore të naftës, pjesërisht nën presionin e investitorëve dhe aktivistëve mjedisorë, po shpojnë më pak puse sesa bënin para pandemisë.
Edhe ndërprerja e dërgesave ruse që kalojnë tranzit përmes Ukrainës kandikuar në çmim. Kjo për shkak se, sipas tregtarëve, pjesa tjetër e botës nuk ka kapacitet të lirë për të zëvendësuar naftën ruse. Gjithashtu ndërprerjet e eksporteve të gazit natyror rus në Evropë mund të detyrojnë disa ndërmarrje të prodhojnë më shumë energji elektrike duke djegur naftë dhe jo gaz. Kjo do të rriste kërkesën dhe çmimet në mbarë botën.
Por çfarë do të duhej që çmimet e naftës të bien? Çmimet e naftës rriten e ulen periodikisht, por ka disa shkaqe që çmimet mund të ulen muajt e ardhshëm. Pandemia është larg përfundimit dhe Kina ka mbyllur disa qytete për të ndaluar përhapjen e virusit, duke ngadalësuar ekonominë e saj dhe kërkesën për energji. Rusia dhe Perëndimi mund të arrijnë një marrëveshje – formale ose të heshtur – që do të parandalojë edhe pushtimin e Ukrainës. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre mund të rivendosin një marrëveshje bërthamore të vitit 2015 me Iranin, të cilën ish-presidenti Donald J. Trump e la në mes të rrugës. Një marrëveshje e tillë do t’i mundësonte Iranit shitjen e naftës më lehtësisht, ndërsa analistët mendojnë se vendi mund të eksportojë një milion ose më shumë fuçi në ditë nëse marrëveshja bërthamore “ringjallet”. Në fund të fundit, çmimet e larta mund të ulin kërkesën për naftë aq sa çmimet fillojnë të ulen. Ndërsa sytë duket se janë kthyer edhe nga përdorimi i energjisë elektrike, e cila është më e lirë se benzina. Shitjet e makinave elektrike po rriten me shpejtësi në Evropë dhe Kinë dhe gjithnjë e më shumë edhe në Shtetet e Bashkuara, duke u parë si një mundësi për të shkurtuar shpenzimet.
Edhe Shqipëria, nuk përjashtohet nga rritja e çmimit të naftës. Në pikat e tregtimit të karburanteve me pakicë rezulton se një litër naftë po tregtohet me 193 lekë duke pësuar një rritje me më shumë se 5 lekë për litër. Ndërsa ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, paralajmëroi edhe rritje të tjera gjatë të paktën 6 muajve që do të vijnë, çmim që do të ndikojë në çdo hallkë tjetër. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama i pyetur për taksat e vendosura në çmimin e naftës, nuk “lëviz” nga qëndrimi i tij se ato janë detyrime dhe nuk do të hiqen. Bëhet fjalë për: Akcizën, Qarkullimin, Karbonin, Rilincensimin, Skanimin, Markimin dhe TVSH-në, që të gjitha së bashku bëjnë gati 110 lekë. Këto para merren direkt nga konsumatorëve, e asnjë prej tyre nuk do të hiqet e as nuk do të zëvendësohet. Kryeministri e tha fjalën e tij!
Megjithatë eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, mendon se qeveria duhet të marrë masa dhe të rishikojë taksa mbi karburantet. Sipas tij, rritja e çmimit në bursë nuk lidhet vetëm me çmimet në tregjet ndërkombëtare, por edhe me mungesën e kontrollit në tregun vendas. Kur bota po tund këmbanat e alarmit për çmimet në rritje, eksperti thotë se qeveria duhet të vendosë për mbështetje të shtresave në nevojë dhe forcim të rolit të institucioneve për shmangien e abuzimeve në çmimin e naftës dhe nënprodukteve të saj, ndryshe do të preken bizneset dhe individët, duke lëvizur që nga lëvizja e qytetarëve. Rritja e çmimit të naftës nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri, pasi edhe Kosova vuan të njëjtin fat. Aktualisht një litër naftë në Kosovë është duke u tregtuar me një çmim prej 1.23 euro deri 1.3 euro, ose ndryshe 158 lekë. Pra 35 lekë më pak. Pse? E thjeshë! Qeveria i favorizon më shumë qytetarët e saj në krahasim me bizneset që tregëtojnë brenda territorit naftën. Në vendin tjetër fqinjë, çmimi i derivateve të naftës u rrit gjithashtu me 1.01%, ose ndryshe 127 lekë. Edhe kjo shumë që duket e papërfillshme me vendin tonë. Të dhënat e fundit nga Mali i Zi janë të 12 janarit –ku një litër naftë është 1,28 euro. E sado që të jetë rritja, sërish është çmim më i ulët se ai në vendin tonë.
Për shembull marrim vetëm vendet fqinje për të mos luftuar mullinj ere me vende më të zhvilluara e më të kontrolluara, në favor të qytetarëve se qeveria jonë. Me një kabinet që bie dakord me çdo çmim që vendoset dhe s’merr asnjë masë për të mbrojtur konsumatorët dhe 567 mijë mjete në qarkullim që preken të parët nga rritja, na mbetet vetëm që të lutemi për ulje, ndryshe biçikletat do të rikthehen në sërish në trend. Madje dhe për lëvizje nga qyteti në qytet, duke i përgatitur shqiptarët edhe për “Tour de France”. Të paktën një të mirë do ta ketë…