Edmond Përdoda u vu në pranga sot nga policia e Lezhës. Po për çfarë akuzohet 39-vjeçari i cili u arrestua sot pas operacionit të RENEA-së?
Përdoda, së bashku me vëllain e tij Aleksandër Përdoda ekzekutuan Kol Murrani dhe Preng Simoni me armë zjarri, më 27 prill të 2020 në fshatin Lalm të Vjetër në Lezhë. Të dy u gjetën të pajetë nga djali i një prej viktimave, i cili lajmëroi edhe autoritetet. Në burg në lidhje me këtë ngjarje është lënë Aleksandër Përdoda ndërsa tani edhe Edmond Përdoda.
Vrasja e dy viteve më parë ndodhi për motive pronësie në fshatin Lalm. Mësohet se dy vëllezërit pretendonin se toka ku ndodhej rapsodi me shokun e tij iu përkiste atyre. Trupat e viktimave u lanë në pyll dhe u gjetën nga djali i Preng Simonit, që kishte dalë të kërkonte babanë me të cilin kishte humbur çdo kontakt prej orësh të tëra.
39-vjeçari i arrestuar sot nga policia, banues në Lalm, rezulton i dënuar më parë në shtetin grek, për veprën penale “Vrasja”, dhe në Shqipëri, për armëmbajtje pa leje dhe shkatërrim prone.