Policia e Vlorës vijon operacionin “Fati i lojërave”, duke goditur dy raste të tjera të zhvillimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit. Në pranga ka përfunduar një person, një është shpallur në kërkim, ndërsa dy janë nën hetim në gjendje të lirë. Në njoftimin zyrtar nga Policia është njoftuar se në pranga ka përfunduar Olsi H., 30 vjeç dhe u shpall në kërkim Xhimi Ll., 38 vjeç, (pronar i lokalit). Nën hetim është 55-vjeçari, i identifikuar me iniciale J. D., pasi u kap duke luajtur lojra fati, në një nga kompjuterat. Gjithashtu në vijim të kontrolleve u procedua penalisht 32-vjeçari me iniciale G. Ç., banues në lagjen “Hajro Çakërri” Vlorë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e një lokali, në lagjen “Partizani” Vlorë, i është gjetur dhe sekuestruar një aparat telefoni celular, që e përdorte për lojra fati të paligjshme (baste sportive).
NJOFTIMI I PLOTË:
Vlorë
Vijon operacioni policor “Fati i lojërave”. Goditen 2 raste të tjera të zhvillimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit. Vihet në pranga 1 shtetas, procedohen penalisht 2 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër. Sekuestrohen 7 njësi kompjuterike, 2 USB, një printer dhe 2 celular.
Në zbatim të planit të masave të hartuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, si dhe bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për ushtrimin dhe organizmin e lotarive dhe basteve sportive pa leje, vënien në dispozicion të lokaleve për lojëra fati dhe fshehjen e të ardhurave, Strukturat e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me strukturat Hetimore të DVP Vlorë, kanë vijuar kontrollet e vazhdueshme në lokale dhe ambiente të ndryshme.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O. H., 30 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi Xh. Ll., 38 vjeç, (pronar i lokalit). Në ambjentet e lokalit të shtetasit Xh. Ll, u gjetën e sekuestruan 7 njësi kompjuterike, 2 USB, 1 printer dhe 1 aparat celular, të cilat shërbenin për ushtrimin e lojërave të fatit. Si dhe u procedua penalisht shtetasi J. D.,55 vjeç, pasi u konstatua duke luajtur lojra fati, në një nga kompjuterat.
Gjithashtu në vijim të kontrolleve u procedua penalisht shtetasit G. Ç., 32 vjeç, banues në lagjen “Hajro Çakërri” Vlorë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e një lokali, në lagjen “Partizani” Vlorë, i është gjetur dhe sekuestruar një aparat telefoni celular, që e përdorte për lojra fati të paligjshme (baste sportive). Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.