Komisioni i Rithemelimit dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë reaguar në lidhje me pyetjen që ambasadorja amerikane Yuri Kim, iu bëri kandidatëve të ‘Shtëpisë së Lirisë’ për zgjedhjet lokale të 6 Marsit.
Komisioni i Rithemelimit i konsideron të papranueshme ndërhyrjet e Kim, ndërsa sipas tyre ambasadorja ka shkelur Kushtetutën.
KOMISIONI I RITHEMELIMIT TË PARTISË DEMOKRATIKE
Ndërkohë që fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit ka nisur zyrtarisht, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka bërë sot në Twitter ndërhyrjen e saj të radhës, në shkelje flagrante të ligjeve dhe Kushtetutës se vendit, në mbështetje narkoqeverisë së Tiranes. Ajo, defacto, ju ka bërë thirrje
zgjedhësve se për kë duhet të votojnë.
Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, denoncon deklarata të tilla politike nga përfaqësues të huaj gjatë fushatave elektorale. Komisioni I konsideron ato si ndërhyrje të palejueshme, të papranueshme, e të njëanshme në procesin zgjedhor, në rastin konkret në favor të qeverisë më të korruptuar të Europes.
Mbi të gjitha, kjo deklaratë është në kundërshtim të plotë me Nenin 41 të Konventës së Vienës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe Protokollet Opsionale, nënshkruar në vitin 1961 në të cilën edhe Shqipëria është palë. Neni 41 pika 1 thotë shprehimisht: “Pa paragjykuar privilegjet dhe imunitetet e tyre, është detyrë e çdo personi që gëzon këto privilegje dhe imunitete të respektojë ligjet dhe rregullat e shtetit pritës. Ata gjithashtu nuk kanë të drejtë të përzien në çështjet e brendshme të atij Shteti.”
Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike thekson se shqiptarët hedhin poshtë luftën me lobingje korruptive dhe pa fakte kundër korrupsionit si nji praktikë që ndihmon korrupsionin.
Komisioni i kërkon Ambasadores Yuri Kim tërheqjen e kësaj deklarate e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, për respektimin e të cilit, partitë politike në Shqipëri, janë të angazhuara.
Komisioni dënon cdo ndërhyrje në procesin zgjedhor, për më tepër kur qëllimi final është mbështetja për qeverinë më të korruptuar të Europës, që cdo ditë largon shqiptarët nga vendi i tyre, dhe sponsorizimi i një opozite fasade misioni i vetëm i se cilës është vrasja e shpresës duke bërë pazare me qeverinë.
Së fundi, Komisioni deklaron se sponsorizuesi dhe llogarimarrësi i vetëm i kandidatëve të “Shtëpise së Lirisë” është populli opozitar që refuzon të pranojë se alternativa e vetme ndaj Edi Rames është bari që ofron znj. Kim.
Është ky popull që i perzgjodhi këta kandidatë dhe po ai do t’i votojë. Nesër, kur ata të jenë fitues, detyrimi i vetëm I tyre nuk do jete as ndaj liderëve politike dhe aq me pak ndaj diplomatëve në shërbimin e Edi Ramës, por vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë!
Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka dalë haptazi me qëndrim për zgjedhjet e 6 marsit, duke tentuar në njëfarë forme të intimidojë kandidatët e koalicionit Shtëpia e Lirisë, të kryesuar nga Berisha.
Në një postim në Twitter ajo pyet kanidatët e Berishës se çfarë mund t’iu premtojnë votuesve të tyre, sa kohë që drejtohen nga një person i shpallur non grata nga SHBA-të.
Kjo është hera e parë që një ambasadore e huaj në vendin tonë, del në një mesazh kaq direkt në lidhje me zgjedhjet e qytetarëve shiptarë përpara kutive të votimit.
Reagimi i Yuri Kim:
Pyetje për kandidatët: Nëse sponsori juaj kryesor është dikush i caktuar nga SHBA non grata për korrupsion të konsiderueshëm, çfarë saktësisht po u premtoni votuesve?
Kush do t’ju drejtojë juve nëse fitoni dhe çfarë do t’i detyroheni Berishës? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin SHBA?
Në 6 Mars në Shqipëri do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme për pushtetin lokal, konkretisht në 6 bashki të vendit, përfshirë Shkodrën, Durrësin, Vorën, Dibrën, Rrogozhinën dhe Lushnjen. Fushata e kandidatëve nisi zyrtarisht të shtunën, ndërkohë që pritet të zgjasë dy javë.
PD ka hyrë e përçarë në këto zgjedhje, me Berishën që ka futur në garë kandidatët përmes koalicionit Shtëpia e Lirisë, dhe Bashën dhe PD-në zyrtare, që kanë propozuar 6 kandidatë të tjerë.
Në një kohë kur apeli është që në këto zgjedhje të ketë një pjesëmarrje të lartë të qytetarëve, pasi mund të jetë një trend dhe tregues i zhvillimeve të mëpasshme në vend, ambasadorja Kim, ka zgjedhur që të pozicionohet me këtë qëndrim të sajin.