Kryeministri Edi Rama teksa ka folur për situatën në Ukrainë dhe për rritjen e çmimeve në vend, ka theksuar se rritjet e pagave dhe investimet e parashikuara nuk do të ndërpriten.
Ndër të tjera, Rama theksoi se dhe vendi ynë është përfshirë nga kriza për shkak të luftimeve , por për momentin Qeveria nuk po mendon reduktimin e rrogës minimale apo ndalimin e investimeve të parashikuara.
“Për momentin natyrisht që ne nuk kemi asnjë tundim, ide që të reduktojmë rrogën minimale apo të ndalim investimet e parashikuara. Paga minimale do të rritet, do të zerohet taksa mbi rrogën deri në 40 mijë lekë, do të përgjysmohet taksa për pagat deri në 50 mijë lekë. Do të zerohet taksa për bizneset deri në 100 milionë lekë dhe rritja e pagave për mësuesit.
Dua ta them se kemi zgjedhur t’i përkasim një fronti shtetesh, popujsh ku jeta i sjell që në ditët e këqija ne duhet të bëjmë sakrifica. Nuk kemi zgjedhur të jemi një shtet neutral dhe me të drejtë jemi pozicionuar pa diskutim aty ku duhet për interesant tona strategjike si komb, si shtet dhe kjo vjen me kosto. Ne jemi pjesë e një fronti lufte, jo me armë, por me të gjitha pasoja që sjell. Solidariteti me Ukrainën është vetëmmbrojtje e pastër, për të mos lejuar që ajo që ndodh atje të vijë dhe këtu dhe të infektojë të gjithë botën tonë.”, tha ai.