Ora News siguron një foto të momentit kur Admir Bajri, djali i xhaxhait të njërit prej të fortëve të Shkodrës, Behar Bajrit, është qëlluar me automatik në lagjen Dobraç në Shkodër. Sulmi me armë i cili ndodhi mbrëmjen e të mërkurës, (9 mars 2022) duket se lidhet me hasmëritë dhe konfliktet e lindura mes grupeve kriminale në qytetin e Shkodrës. “Ora News”, publikon ekskluzivisht foton nga kamerat e sigurisë, ku shfaqet momenti i goditjes me armë ndaj 38-vjeçarit i cili ishte duke udhëtuar me një Benz-Ml me nënën e tij.
Automjeti i autorëve me targë AA 066 PZ, e cila rezulton e vjedhur para dy vite në Tiranë, shikohet teksa kalon paralel me makinën ku udhëtonte Admir Bajri. Pa ndaluar në asnjë moment, nga dera e pasme e mjetit tip Benz-Mercedez, një person ka ulur xhamin dhe nxjerrë prej andej grykën e automatikut, duke qëlluar disa herë drejt objektivit.
Sipas burimeve të policisë kriminale, 6 plumba kanë prekur në pjesë të ndryshme të trupit, Admir Bajrin, ndërsa e plagosur lehtë ka mbetur dhe nëna e tij. Aktualisht 38-vjeçari Bajri, është në trajtim mjekësor ndërsa sipas mjekëve gjëndja e tij është normalizuar.
Kamerat e sigurisë kanë ndihmuar policinë dhe prokurorinë e Shkodrës, të krijojnë dinamikën e plotë se si ka ndodhur krimi, por deri tani nga këto filmime nuk janë sigurua profilet e identifikimit të autorëve të krimit. Autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke shkuar në një karburant, ku dhe kanë braktisur mjetin pikërisht në këtë vendin që shihet në foto. Ende nuk dihen arsyet se pse autorët kanë braktisur makinën e përdorur në krim, në ambjentet e një biznesi që monitorohet nga kamerat.
Dyshohet se në pikën e karburantit, personat mund të blinin benzinë me qëllim djegien e makinës në një vend tjetër, por kjo deri në këtë fazë të hetimit mbetet një hipotezë. Sipas dëshmitarëve tre persona kanë zbritur nga makina dhe janë larguar në këmbë, duke lënë mjetin pikërisht në vendin ku policia ka shkuar dhe e ka sekuestruar.
Blutë e Shkodrës, aktualisht janë duke analizuar filmimet e kamerave si dhe disa gjurmë gishtash të gjetura brenda në makinë. Hetimi për këtë atentat është në fazat e para dhe ende nuk ka një person të dyshuar apo të arrestuar.
Marrë nga OraNews