Moska do t’i japë fund aktiviteteve të “Meta Platforms” në Rusi nëse një raport i publikuar më herët nga Reuters, ku thuhet se do të lejohet që përdoruesit e rrjeteve sociale të bëjnë thirrje për dhunë kundër rusëve, del i vërtetë.
Duke cituar emailet e brendshme të zbuluara, agjencia e lajmeve Reuters raportoi të enjten se Meta do të lejojë përdoruesit e Facebook dhe Instagram në disa vende të bëjnë thirrje për dhunë kundër rusëve dhe ushtarëve rusë në kontekstin e pushtimit në Ukrainë, duke sinjalizuar një ndryshim të përkohshëm në politikën e saj të gjuhës së urrejtjes.
“Ne nuk duam ta besojmë raportin e Reuters – është shumë e vështirë të besohet”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
“Shpresojmë që të mos jetë e vërtetë sepse nëse është e vërtetë do të thotë se do të duhet të merren masat më vendimtare për t’i dhënë fund aktivitetit të kësaj kompanie”, shtoi ai.