Do ndërtohet resort/ Plazhi i Gjeneralit jepet me konçension për 30-vjet

0

TIRANË- Një nga plazhet më të ‘lakmuara’ në Shqipëri, ai i Gjeneralit në Kavajë, do të mbyllet për pushuesit vendas dhe të huaj. Pse? Arsyeja është shumë e thjeshtë: qeveria shqiptare ka vendosur t’ia japë një biznesmeni të vetëm. Bëhet fjalë për kompaninë “Mediterranean Wave”, e cila me vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike ka arritur të marrë plot 635 mijë metër katrorë tokë publike, apo thuajse të gjithë zonën që njihet si Plazhi i Gjeneralit.

Sipas gazetarit Klodian Tomorri, kompania përfituese është krijuar vetëm një vit më parë dhe zotërohet 100 për qind nga “Shijaku Shpk” e biznesmenit Shpëtim Shijaku. Kjo kompani është shpallur “investitor strategjik” nga qeveria do të ndërtojë një resort turistik në plazh me vlerë 50 milionë euro dhe të ketë në përbërje hotele, vila (fshat turistik), shërbime të hotelerisë, parqe, hapësira për aktivitete. Ndërkohë që statusi i investitorit strategjik i jep biznesmenit Shijaku drejtën ekskluzive të shfrytëzimit të plazhit ranor për 30 vjet. Përveçse prona do i kalojë pronën privatit, shteti ka marrë përsipër të ndërtojë të gjithë infrastrukturën rrugore, ujësjellësin, impiantin e ujërave të zeza si dhe nënstacionin e energjisë elektrike.

Por privatizimi falas i Plazhit të Gjeneralit nuk është prona e parë publike që i jepet kompanisë Shijaku. Dy vjet më parë qeveria i dha asaj po falas, kundrejt çmimit simbolik 1 euro edhe 140 mijë metër katrorë tokë publike, pjesë e vendkomandës qendrore të Ushtrisë në zonën e Saukut. Ndërsa vetëm pak muaj më parë, kjo kompani arriti të marrë lejen për të çmontuar Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, që ndryshe njihet si Uzina e ARMO-s. Mesa duket plazhi i Gjeneralit është thjesht “llokma” e radhës që kompania merr nga shteti. Gjithmonë nën petkun e investitorit strategjik.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu