Shumë vëzhgues thonë se Imamoglu është bërë një nga politikanët më të njohur në Turqi që nga fitimi i zgjedhjeve të Stambollit në vitin 2019 dhe do të ishte një rival serioz i Erdoganit në garën e ardhshme presidenciale. Sipas sondazheve, Imamoglu do të mundte Erdoganin, popullariteti i të cilit ka rënë si pasojë e një sërë krizash politike dhe ndërkombëtare dhe kryesisht për shkak të krizës së rëndë ekonomike.
I pyetur nëse do ta pranonte kandidimin për president, Imamoglu nuk tha po – por i mbajti dyert hapur.
I shmangur në vizitën e tij të mëparshme
Kryetari i bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu viziton Qytetin e Vjetër të Sarajevës me homologen e tij nga Sarajeva Benjamina Karic. Foto: Bashkia e Stambollit. Kryebashkiaku po vizitonte kryeqytetin e Bosnjës të hënën si i ftuar i Komunës së Sarajevës. Vizita përfshiu një sërë takimesh dhe një darkë të madhe Ramazani, ku ishin më shumë se 200 njerëz, duke përfshirë politikanë, ambasadorë, akademikë dhe kryetarë bashkish nga Bosnja, por edhe nga Serbia dhe Mali i Zi. .
Në vitin 2019, Imamoglu u anashkalua nga liderët boshnjakë, të cilët druheshin se do të zemëronin qeverinë e presidentit Erdogan. Në atë kohë, Imamoglu takoi vetëm disa zyrtarë boshnjakë, ndërsa ish-homologu i tij, Abdullah Skaka, nga partia kryesore boshnjake, Partia për Veprim Demokratik, SDA, refuzoi ta takonte. Megjithatë, të hënën, Imamoglu u prit me kënaqësi nga kryetarja aktuale e Sarajevës, Benjamina Karic, e cila u zgjodh vitin e kaluar pas humbjes së SDA-së në zgjedhjet lokale.
Pas takimit të tyre dhe një vizite të përbashkët në Qytetin e Vjetër të Sarajevës, Imamoglu tha në intervistën për BIRN se pas asaj vizite të parë zhgënjyese, ai ishte i emocionuar që ishte përsëri në Sarajevë.
Në intervistën e tij, në bashkinë historike të Sarajevës, Vijecnica, Imamoglu foli gjithashtu për politikën e jashtme, për lidhjet midis Turqisë dhe Ballkanit, por edhe për politikën turke, duke përfshirë kandidaturën e tij të mundshme në zgjedhjet presidenciale kundër Erdoganit, i cili ka drejtuar vendin për 20 vjet.
Erdogan dhe Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, “do ta humbin Turqinë ashtu siç humbën Stambollin”, këmbënguli Imamoglu, duke kujtuar fitoren e tij të vitit 2019 në Stamboll, qyteti më i madh i Turqisë, si dhe qendra kulturore dhe ekonomike e vendit.
Stambolli si “vëllai i madh” i qyteteve ballkanase
Imamoglu nënvizoi rëndësinë e Bosnjës dhe rajonit të Ballkanit për Stambollin dhe Turqinë.
Boshnjakët dhe myslimanët e tjerë të Ballkanit kanë migruar vazhdimisht në Turqi që nga rënia e Perandorisë Osmane dhe njerëzit me origjinë ballkanase janë tani një element kryesor përbërës i Stambollit, dhe një që thuhet se mbështeti Imamoglun në zgjedhjet lokale të 2019-ës. Kushtetuta e Turqisë nuk lejon regjistrimin e përkatësisë etnike të qytetarëve të saj, por disa vlerësime sugjerojnë se 20-25 për qind e popullsisë prej 83 milionë banorësh e Turqisë ka rrënjë ballkanase.
Për Imamoglun, këto lidhje midis Stambollit dhe qyteteve të Ballkanit janë të domosdoshme.
Ai shtoi se Stambolli duhet të udhëheqë rajonin në shumë fusha, duke përfshirë paqen, demokracinë, qeverisjen e mirë, politikën e gjelbër dhe transformimin digjital.
Projekti B40 synon të bashkojë kryetarët e shumë qyteteve të Ballkanit, duke përfshirë Stambollin, Sarajevën, Athinën, Beogradin dhe të tjerë, për të përmirësuar marrëdhëniet. Takimi i parë i B40 u organizua në Stamboll në nëntorin e kaluar dhe takimet e radhës do të mbahen në Athinë dhe Sarajevë. Gjatë vizitës së tij në Sarajevë, Imamoglu do të ketë një tjetër takim të B40 me pjesëmarrjen e qyteteve të Bosnjës, përfshirë Sarajevën, Laktasin, Tuzlën dhe Zenicën. Duke udhëhequr një rrjet rajonal, Imamoglu tha se Turqia, e cila ka pasur shumë mosmarrëveshje me Perëndimin dhe fqinjët e saj nën udhëheqjen e Erdoganit, duhet të ndjekë një politikë të jashtme të bazuar te paqja dhe prosperiteti.
Imamoglu shtoi se Turqia duhet të jetë vetëm burimi i paqes, jo i ndonjë gjëje tjetër.
Ndryshe nga vizioni i politikës së jashtme të Imamoglut, Turqia ka pasur shumë konflikte me Perëndimin ndërsa është angazhuar në nëj përmirësim marrëdhëniesh me Rusinë në vitet e fundit. Demokracia, sundimi i ligjit dhe liritë janë përkeqësuar nën sundimin e Erdoganit, ndërsa ekonomia po përballet me kohë të trazuara, me rënien e lirës turke dhe inflacionin e lartë.
“Kushdo që fiton Stambollin, fiton Turqinë”
“Stambolli është qyteti më i rëndësishëm në Turqi. Dyzet për qind e PBB-së së saj vjen nga Stambolli”,-tha Imamoglu.
Por, sipas Imamoglu, të qenit kryetar i qytetit përfshin shumë vështirësi.
Imamoglu fitoi zgjedhjet e Stambollit në vitin 2019 jo një herë, por dy herë, pasi rezultati i parë zgjedhor u anulua me një vendim të diskutueshëm gjyqësor.Dhe, megjithëse Imamoglu është kryebashkiak i Stambollit, qyteti është ende pjesërisht i kontrolluar nga aleatët politikë të Erdoganit. Ministritë e qeverisë, guvernatori i qytetit dhe institucionet e tjera shtetërore përpiqen t’i bllokojnë politikat e tij.