18-vjeçari i armatosur hapi zjarr në shkollën fillore Robb në qytetin e Uvalde duke lënë të vdekur 21 persona.
SHBA- Tragjedi në Teksas! Një 18-vjeçar ka vrarë 19 fëmijë dhe dy të rritur në një shkollë fillore në Teksasin jugor. 18-vjeçari i armatosur hapi zjarr në shkollën fillore Robb në qytetin e Uvalde para se të vritej nga forcat e rendit, thanë zyrtarët, raporton BBC.
Hetuesit thonë se i dyshuari ishte i armatosur me një pistoletë, një pushkë gjysmë automatike AR-15 dhe karikatorë me kapacitet të lartë. Adoleshenti dyshohet se ka qëlluar gjyshen e tij në fillim të tërbimit e më pas kishte vijuar me nxënësit e shkollës.
Shefi i Policisë së Distriktit të Pavarur të Shkollës Uvalde, Pete Arredondo tha se të shtënat filluan në orën 11:32 me orën lokale të së martës dhe se hetuesit besojnë se sulmuesi “veproi i vetëm gjatë këtij krimi të tmerrshëm”.
Guvernatori i Teksasit Greg Abbott tha se sulmuesi, të cilin ai e quajti si Salvador Ramos, braktisi një automjet përpara se të hynte në shkollë për të hapur zjarr.
Një nga të rriturit e vrarë është mësuesja Eva Mireles.
Robb Elementary mëson nxënësit e klasës së dytë, të tretë dhe të katërt, të cilët variojnë nga mosha shtatë deri në 10 vjeç. Agjencia e lajmeve Associated Press raporton se një zyrtar i Patrullës Kufitare të SHBA-së, i cili ishte afër kur filluan të shtënat, hyri me shpejtësi në shkollë dhe qëlloi dhe vrau personin e armatosur, i cili ndodhej pas një barrikade.
Dy agjentë kufitarë thuhet se u qëlluan në një shkëmbim me personin e armatosur. Një agjent u qëllua në kokë, thonë zyrtarët, duke shtuar se të dy tani janë në gjendje të qëndrueshme në spital. Sipas CBS Neës, sulmuesi kishte veshur forca të blinduara ndërsa kreu sulmin.