Në kuadër të projektit lëndor në lëndën e biologjisë, krahas projektit EMI nëpër shkolla, disa të rinj kanë vendosur që për temën e caktuar, me ndihmën dhe koordinimin e mësueses së përkushtuar të lëndës, Armida Caku, të prezantohemi ndryshe këtë vit, me anë të një filmi të shkurtër.
Filmi i ndërlidhur me pjesën e projektit lëndor, ka të bëjë me kriminalistikën. Nxënësit e klasës së 10 – A kanë menduar që për periudhën e tretë, e cila përkon me prezantimet e projekteve përkatës, në lëndën e biologjisë do të prezantohet kështu : me anë të një videoje kinematografike të shkurtër.
Cila është përmbajtja e këtij filmi?
Filmi trajton historinë e një vajze të re, Jezuela, e cila gjendur në vështirësi ekonomike, ngatërrohet në një telash edhe më të madh duke marrë një hua nga një person i dyshimtë, pra Aldo. Në momentin që ajo merr paratë, por nuk i kthen sërish, Aldo planifikon që ta kërcënojë atë.
Ndryshe nga ajo që ai kishte bërë plan të kryente, në vend që ta kërcënonte, Aldo vret Jezuelën, vdekja e së cilës nis edhe misterin e këtij filmi.
Ngjarja kriminale merret përsipër të ndriçohet nga dy detektive, Oligerta dhe Aleksandra. Ato mbledhin provat dhe u dërgohen specialistëve të shkencës. Pikërisht në këtë moment, kur provat u dërgohen laborantëve, lidhet filmi me shkencën e biologjisë : se si gjurmët e ADN – së së Aldos, do ta zgjidhin këtë mister.
A do të kapet krimineli i kësaj çështjeje? A do të zgjidhet misteri, apo mos ndoshta ka edhe një mister tjetër të pazbuluar akoma?
Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, ju ftojmë që të shikoni këtë film tërheqës dhe patjetër, mbresëlënës, një projekt i veçantë dhe dinjitoz përgatitur nga nxënësit e palodhur të gjimnazit “Dhaskal Todri”.
Kjo është një risi në lidhje me prezantimin e projekteve në shkollën tonë që fillimisht u iniciua nga Agim Gremi aktivist i shoqërisë civile & Oligerta Laçi gjithashtu nxënëse e gjimnazit Dhaskal Todri.