Tiranë- Thellohet skandali me kontrabandën e ilaçeve gjatë pandemisë. Autoritetet italiane kanë publikuar pamje se si një rrjet i madh mjekësh, biznesmenësh e madje edhe vajza të show-bizz-it janë përfshirë në këtë aferë. Ata dyshohet se kanë kryer mashtrim ndaj sistemit kombëtar shëndetësor italian, korrupsionit dhe trafikut të barnave me përmbajtje narkotike.
Anëtarët e grupit organizuar kriminal mendohet se janë të përfshirë në trafikun e barnave me përmbajtje narkotike, që e kanë marrë në mënyrë të paligjshme nga sistemi kombëtar shëndetësor italian dhe janë shitur në Shqipëri. Në skandal dyshohet se janë përfshirë edhe mjekë shqiptarë dhe italianë gjithashtu edhe vajza të shoëbizit shqiptar të cilat ofronin shërbime seksuale në këmbim të trajtimeve të shtrenjta.
Mjekët e vënë nën hetim janë Edvin Prifti, Vladimir Peto, Aurel Vula, Ilir Broqja.
Skema
Të arrestuarit, me bashkëpunimin e mjekëve dhe infermierëve, dyshohet se u kanë ofruar shtetasve shqiptarë një sërë shërbimesh mjekësore të shtrenjta dhe të panevojshme, të cilat sipas udhëzimeve do t’i lejonin ata të hynin ilegalisht në Itali.
Hetimet kanë dokumentuar çështjen e çertifikatave mjekësore të rreme që vërtetojnë nevojën e shtetasve shqiptarë për kujdes urgjent në Itali, gjë që i lejonte ata të hynin në vend dhe të merrnin shërbime mjekësore dhe farmaceutike.
Mjekët e korruptuar në këmbim do të merrnin para ose shërbime seksuale. Sipas akuzave, të dyshuarit janë përfshirë edhe në trafikun e ilaçeve të marra ilegalisht nga sistemi kombëtar shëndetësor italian dhe të shitura në Shqipëri.