Një vrasje e ndodhur më 20 mars 2015, në burgjet e Larisës, kur 42-vjeçari “për arsye nderi” u hakmor për një vrasje të ndodhur 20 vite më parë në Shqipëri.
Është pezulluar gjykimi i një shqiptari, 42-vjeçar, i cili akuzohet për vrasje me paramendim, lëndim të rrezikshëm trupor, përdorim arme dhe armëmbajtje në burg, nga Gjykata e Apelit të Larisës.
Cityportal shkruan se një vrasje e ndodhur më 20 mars 2015, në burgjet e Larisës, kur 42-vjeçari “për arsye nderi” u hakmor për një vrasje të ndodhur 20 vite më parë në Shqipëri. Ai goditi me thikë për vdekje një bashkatdhetar 47-vjeçar për shkak se një pjesëtar i familjes i kishte vrarë dajën e tij në Shqipëri. Sipas informacioneve të gazetës “Eleftheria”, 42-vjeçari pasi vrau 47-vjeçarin, më pas ka plagosur rëndë një tjetër 46-vjeçar, gjithashtu bashkatdhetar.
Si skenar për filma
Në aktakuzë, përshkrimi i vrasjes nuk ka asgjë për të pasur zili nga skenarët e policisë, për një vrasje të ndodhur vetëm tre ditë pas transferimit të 47-vjeçarit në burgun e Larisës.
42-vjeçari, ndërsa më parë kishte “vizituar të burgosurin në qeli për kafe dhe për të mbledhur informacion për viktimën e tij të mundshme”, më pas zgjodhi pikën e “përshtatshme, të verbër nga kamerat e Burgut” ku me dy thika metalike, të improvizuara ka sulmuar me mizori të madhe 47-vjeçarin, duke e goditur me thikë në zemër.
47-vjeçari humbi ndjenjat nga goditjet e forta dhe ra në shkallët e gjera ndërmjet katit përdhes dhe katit të parë. 42-vjeçari dhjetë minuta më vonë me të njëjtat thika ka sulmuar një tjetër bashkatdhetar të tij, një 46-vjeçar, teksa ndodhej në korridorin e qelive të paraburgimit të krahut C.
Ambulancat e EKAB i transportuan dy shqiptarët në Spitalin Universitar të Larisës, por tashmë ishte vonë për 47-vjeçarin, ndryshe nga 46-vjeçari, i cili u shpëtua pas operacionit.