E treta, e vërteta! S’dorëzohet Zani Çaushi, kërkon lirimin me kusht nga qelia, vendoset pas një jave

0

Sot, ai është rishfaqur sërish në Gjykatën e Korçës duke kërkuar për të tretën herë lirimin me kusht nga qelitë e burgut të Drenovës.

Myrteza Çaushi nuk dorëzohet. Sot, ai është rishfaqur sërish në Gjykatën e Korçës duke kërkuar për të tretën herë lirimin me kusht nga qelitë e burgut të Drenovës. I dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e Robert Shehut dhe Luan Bedinit në gusht 1999 në Vlorë, i është drejtuar me një kërkesë penale Gjykatës së Korçës, duke kërkuar që trupa gjykuese t’i pranojë kërkesën e lirimit me kusht.

Edhe më herët ai ka listuar në kërkesën e tij, se ka vuajtur 35 vite brenda qelisë (kohë kjo e përllogaritur bashkë me paraburgimin) dhe fiton të drejtën që të apelojë vendimin. Sipas tij, gjatë gjithë kohës që ka qenë në burg ka shfaqur sjellje të mirë dhe tashmë dëshiron që të dalë jashtë për t’u kujdesur për fëmijët e tij. Mirëpo pretendimet e tij hidhen poshtë nga Prokuroria e Korçës, e cila në seancën e sotme pretendoi se “i forti i Vlorës” është dënuar mbi 3 herë sepse ka tentuar që të fusë në burg sende të ndaluara, gjë që tregon se nuk është rehabilituar. Pasi edhe gjatë qëndrimit të tij në burg, ai ka vijuar të kryejë vepra penale. Seanca e radhës, kur edhe do të merret vendimi është planifikuar javën e ardhshme në 19 korrik 2022.

Kjo është hera e tretë që Myrteza Çaushi, kërkon lirimin me kusht nga qelia, duke pretenduar se ai ka kryer më shumë se 35 vite qëndrim në burg, duke nënkuptuar se ka vuajtur 3/4 e dënimit të dhënë nga gjykata e Tiranës. Kërkesa e parë e tij për të dalë nga burgu u depozitua 2 vite më parë, më 14 maj 2020, por pas debateve për llogaritjen e dënimit, Çaushi hoqi dorë nga kërkesa e tij. Mirëpo, pasi kaluan disa muaj, ai u rikthye me kërkesën për t’u liruar, por kërkesa u rrëzua sërish nga i njëjti gjyqtar, Selaudin Pysqyli.

Tashmë për herë të tretë Myrteza Çaushi, kërkon lirimin nga qelia, ku do jetë gjyqtarja Luljeta Kola, e cila do vendosë nëse do pranojë ose jo lirimin nga burgu për të “fortin” e Vlorës.

Myrteza Caushi u bë i njohur gjatë trazirave në Shqipëri gjatë vitit 1997 kur falimentimi i firmave piramidale solli hapjen depove të armatimit, burgjeve duke bërë që shteti shqiptar të binte në kolaps. Caushi krijoi një nga bandat më të tmerrshme të kohës së bashku me miq në Vlorë dhe të afërm të tij duke kryer krime të rënda si: vrasje, pengmarrje, grabitje, përdhunime gjatë periudhës mars-korrik 1997. Rivaliteti me bandat e Gaxhait, Kakamit dhe Ujit të Ftohtë në Vlorë shkaktuan një zinxhir vrasjesh dhe hakmarrjesh në qytetin bregdetar. ‘Zani’ ishte dënuar në Greqi me 101 vite burg, por arriti të arratisej dhe të kthehej në vendlindje në vitin 1997.

Fillimisht, ai u arrestua pas zgjedhjeve të parakohshme të vitit 1997, por u lirua një vit më pas, për mungesë provash. Më pas, në 3 shtator 1999, policia e shteti prangosi sërish Zani Caushin. Pas një sërë seancash gjyqësore, ai u dënua me burgim të përjetshëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu