Alma një tjetër farmaciste pranë Sheshit “Skënderbej” shpjegon se më së shumti kërkojnë medikamentet parësore, ndërsa vitaminat më pak, pasi njerëzit tashmë i marrin rregullisht.
Nga fjalia “nuk ka më virus” vendi ynë kaloi shumë shpejt në “janë regjistruar 1850 raste në ditë”. Dhe rrjedhimisht, rritja e infektimeve nga Covid-19 ka rikthyer edhe shtimin e personave që shkojnë në farmaci. Aleksi një farmacist pranë “Rrugës së Kavajës” i tha Gazetasi se prej një jave janë shtuar radhët e qytetarëve në farmaci.
“Përgjithësisht kërkojnë barna si codramol, taylolhot dhe të tilla barna që qetësojnë simptomat fillestare të Covid-19.Mund të shesim3 -4 pako në ditë ku secila ka 12 tableta”, tregon farmacisti.
Ndër të tjera ai shpjegon se simptomat më të shpeshta për të cilat referohen janë dhimbje fyti, rrufë, djersitje dhe disa herë të vjella.
Alma një tjetër farmaciste pranë Sheshit “Skënderbej” shpjegon se më së shumti kërkojnë medikamentet parësore, ndërsa vitaminat më pak, pasi njerëzit tashmë i marrin rregullisht.
Më tej ajo shton se kanë hasur probleme me okin.
“Oki është një nga medikamentet e shpejtë dhe më të kërkuar për dhimbjen e kokës, kryesisht oki-task. Me të kemi hasur probleme nga qytetarët sepse nuk mund ta japim pa recetë, e shpesh herë ikin të zemëruar. Deri tani mund të kemi shitur 2 pako të plota. Ndërsa, oledrohot dhe paracetamol pres të më vinë pasi nuk kam stok”, shton farmacistja.
Farmacistët shpjegojnë se duke qenë njerëzit u mësuan në një farë formë me pandeminë, mendojë se dinë të jenë “mjek të vetes”
“Duke qenë se nuk ka pasoja të rënda për shëndetin dhe se qytetarët janë mësuar disi me simptomat dhe ilaçet i kërkojnë edhe pa recetë”, tregon më tej Aleksi.
Edhe Ervina një tjetër farmaciste tregon se njerëzit janë të prirur t’i marrin vetë ilaçet dhe vitaminat, kështu shpeshherë anashkalojnë mjekun e familjes.
“Kur u japim këshilla se si t’i pinë ilaçet thonë ‘jemi mësuar me këto tani”, shton më tej farmacistja.
Por çfarë pasojash mund të sjellë përdorimi i medikamenteve OTC pa u konsultuar me mjekët?
Mjeku i familjes Eduard Bajraktari, shpjegon se shume preparate të quajtura OTC janë lejuar të trajtohen dhe rekomandohen nga farmacisti për diçka të shpejtë (zgjidhur hallin e momentit një dhimbje koke apo diçka tjetër) dhe kur e ka te pa mundur te kontaktoj me mjekun.
“Pavarësisht kësaj ai që i njeh problematikat e pacientit është mjeku i familjes dhe për çdo problem, edhe se mendohet i vogël, duhet te konsultohemi me mjekun e familjes, sidomos për Covid-19. Në këtë periudhë kontakti me mjekun e familjes ka qenë shumë i lehtë dhe gjithë kohën i aksesueshëm”,shpjegon Bajraktari.
Sipas Bajraktarit në raste të tilla ndodh që të keq mjekohen, pasi merr një qetësues të momentit dhe fsheh diagnozën e vërtetë.
Ndërkaq, dy kompani farmaceutike në kryeqytet i thanë Gazetasi.al se ka pasur një rritje të shitjeve për barnat OTC, më herët se sa rritja e rasteve të infektimeve. Ata shpjegojnë që pavarësisht rritjes ka stok të barnave kryesore që përdoren për Covid-19. Lidhur me vitaminat ata shprehen se tashmë kanë arritur një qëndrueshmëri shitjesh.