ITALI- Mario Draghi është drejt dorëheqjes së tij si kryeministër pavarësisht besimit të marrë sot në Senat. Në seancën e sotme, senati i konfirmoi besimin qeverisë me 95 vota pro dhe 38 kundër. Senatorët e M5S, Lega dhe Fi u deklaruan “të pranishëm” por nuk votuan. Megjithatë surpriza e vërtetë ka qenë “tradhtia” që Mateo Salvini dhe Silvio Berluskoni i kanë bërë Mario Draghit. Deri pak para votimit “Forza Italia’ dhe “Lega Nord” që përbëjnë koalicionin e së djathtës kishin deklaruar mbështetjen për qeverinë, por ato nuk kanë marrë pjesë në votimin final, duke e lënë vetëm Draghin.
Pas votimit kryeministri Mario Draghi u largua nga Palazzo Chigi dhe vendosi të mos shkojë mbrëmjen e sotme në Presidencë, ku pritet të shkojë nesër pas seancës në parlament. Ndërsa, Sekretari i Partisë Demokratike Enrico Letta ka shkruar në Twitter: “Në këtë ditë të çmendurisë, Parlamenti vendos të jetë kundër Italisë. Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet për ta shmangur atë dhe për të mbështetur qeverinë e Draghi. Italianët do të tregojnë në votime se janë më të mençur se përfaqësuesit e tyre”.
Gjatë fjalimit të tij në parlament Draghi tha: “Përgjigjia ime do të jetë e shkurtër: së pari falënderoj të gjithë ata që e kanë mbështetur punën e qeverisë me besnikëri dhe pjesëmarrje. Pika e dytë është një vëzhgim për disa fjalë që do të kishin vënë në dyshim natyrën e demokracisë sonë. Përkrahja që pashë në vend më bëri që të propozoj një pakt koalicioni dhe ta dorëzoj në votën tuaj, vendosni ju. Jo kërkesa për kompetenca të plota. Kërkoj që të ketë besim në rezolutën e paraqitur nga senatori Casini”.
Pas vendosjes së çështjes së besimit nga qeveria në rezolutën Casini, presidentja e Senatit Elisabetta Alberti Casellati pezulloi seancën dhe thirri konferencën e drejtuesve të grupeve. Parlamentarët do të shkonin drejt numërimit në dhomë me votën e rezolutës, por situata u ndërlikua më shumë pasi qeveria e qendrës së djathtë i kërkoi Mario Draghit të formonte një qeveri të re “të rinovuar thellësisht”, pra me ministra të rinj, pa Lëvizjen Pesë Yjet.
Javën e kaluar, Draghi dha dorëheqjen e tij pasi lëvizja “5 Yje” – partia më e madhe në qeverinë e koalicionit të vendit – tërhoqi mbështetjen e saj në një votim besimi parlamentar mbi një paketë të krijuar për të trajtuar krizën e kostos së jetesës në Itali. Rrjedhimisht edhe kryeministri italian u shpreh gati të largohej nga posti, pasi më parë ishte zotuar se nuk do të drejtonte një qeveri që nuk përfshinte 5-Yjet. Dorëheqja e Draghit megjithatë u refuzua nga presidenti i Italisë Sergio Mattarella, i cili i kërkoi atij të qëndronte dhe të gjente një zgjidhje. Si përshembull votëbesimi i sotëm…
Ky test i pushtetit të qeverisë dështoi në mënyrë dramatike mbrëmjen e kësaj të mërkure. Largimet e partnerëve të koalicionit erdhën pavarësisht reagimeve të paprecedenta të qytetarëve italianë, të cilët gjatë ditëve të fundit bënë thirrje që Draghi të vazhdojë të qeverisë, mes inflacionit në rritje, kostove të larta të energjisë dhe rritjes së shifrave të pandemisë.