KOSOVË- Presidenti shqiptar Bajram Begaj ka komentuar iden e hedhur nga homologia e tij në Kosovë Vjosa Osmani për një traktat mbrojtje. Gjatë një interviste për RTK, Begaj tha se e mirëkupton idenë e Osmanit, por shtoi se janë Kuvendet ato që duhet të vendosin për një marrëveshje të tillë dhe jo ata.
“Presidenti i Shqipërisë ka një mision kushtetues që është e bazuar te preambula e Kushtetutës në lidhje me unitetin kombëtar dhe bashkimin kombëtar. Ardhja ime këtu dhe takimi me liderët e Kosovës është për të përçuar mesazhin që ne duhet të bëjmë më të mirën për kombin tonë. Traktati i Mbrojtjes është një ide e hedhur nga presidentja e Kosovës e cila nënkupton një ide fillestare, e cila duhet të trajtohet me shumë kujdes nga institucionet ligjzbatuese dhe ligjvënëse, përkatësisht Kuvendet respektive.
Unë e mirëkuptoj presidenten Osmani dhe do të punoj intensivisht bazuar te dritarja ligjore që ne na mbulon të ecim përpara me mundësinë e arritjes së një gjëje të tillë. Unë mendoj se Kuvendet respektive janë ato që do të vendosin për një marrëveshje të tillë. Me sa di është një deklaratë bashkëpunimi në fuqi mes dy republikave. Mendoj se në kushtet aktuale të sigurisë, dhënia e këtij mendimi për një traktat kërkon që mbështetja e Shqipërisë të jetë i nevojshëm në situata të tilla”, tha Begaj.