Gazetarët në vend po hetohen për sponsorizim nga Rusia pas përpjekjeve për të intervistuar miq të rusëve të kapur në Gramsh pas incidentit të ndodhur në Uzinë. Lajmi është bërë me dije nga TopChannel që shkruan se Prokurorët, Drejtoria e Antiterrorist dhe SHISH po analizojnë tentativat e mediave shqiptare për të intervistuar miq të Svetlana Timofeyeva e babait të Mikhail Zorin.
“Prokurorët, Drejtoria e Antiterrorist dhe SHISH po analizojnë me kujdes përpjekjen e sponsorizuar nga Rusia, javën e shkuar, ku u tentua ofrimi për tu intervistuar nga media shqiptare të miqve të Svetlana Timofeyeva dhe babait të Mikhail Zorin,”- shkruhet në fundin e artikullit të botuar.
Emrat e gazetarëve që kanë sjellë influencën e Putin në Shqipëri nuk bëhen me dije ende, por të gjithë ata që kanë drejtuar mikrofonin për të marrë një prononcim nga të afërm e të njohur të të arrestuarve, janë në pritje për tu marrë në pyetje.
Kush u tremb nga këto intervista? Mos ndoshta deklaratat e dhëna prej tyre nxorrën blof vetë kryeministrin Edi Rama që e cilësoi ‘të bujshëm’ kapjen e ‘spiunëve’ rusë në Gramsh? Kreu i qeverisë bëri hapa pas kur tha se ‘spiunimi në Gramsh ishte qesharak’, por tashmë ka vendosur ta kalojë vëmendjen dikur tjetër, tek gazetarët shqiptarë që janë sponsorizuar nga Rusia.
Gazetari Isa Myzyraj e ka konsideruar fyes për gazetarët shqiptarë aludimin se janë sponsorizuar nga Rusia për të marrë në pyetje të afërm e familjarë të rusëve të arrestuar në Gramsh. Në një postim në Facebook, Myzyraj shkruan se ai vetë ka komunikuar me dy miq të Svetlana Timofeyeva për të ditur më shumë mbi vendet që kanë vizituar e fotografuar të huajt në Shqipëri. Myzyraj shton se aludimi që media qenka përdorur nga Rusia, pa publikuar prova dhe fakte është dashakeq dhe fyes për të gjithë gazetarët.
Postimi:
Pra, sipas Burimeve të Top Channel, media qenka përdorur nga Shërbimet ruse për të intervistuar personazhe. Kjo është një fyerje që u bëhet gazetarëve, dhe si e tillë nuk duhet pranuar. Javën e kaluar kam komunikuar me dy miq të Svetlana Timofeyeva, jo se më thanë “agjenturat ruse” por sepee doja të mësoja më shumë për atë se si e njohin miqtë Svetlanën, ku kanë qenë me të dhe çfarë kanë fotografuar. Madje, unë vetë, jo agjëntët rusë, kam kërkuar që të kontaktoj edhe me të tjerë miq apo edhe familjarë të Svetlanës, sepse unë jam gazetar dhe dua të kontaktoj çdo burim që është i vlefshëm për një ngjarje. Ndaj, aludimi që media qenka përdorur nga Rusia, pa publikuar prova dhe fakte është dashakeq dhe fyes për kolegët!