TIRANË- I mandatuari për të negociuar me kryedemokratin Sali Berisha, Gazment Bardhi ka bërë me dije se do të shkojë në bisedime, ku palët duhet të ulen në tavolinë pa asnjë kusht. Pas mbledhjes së zhvilluar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, Gazment Bardhi tha se fakti që po ulen për të diskutuar nuk do të thotë që se njeh Sali Berishën si kryetar i PD. Por shtoi se pret që edhe pala tjetër të ulet në tryezë me mendje të hapur dhe pa kushte.
“Do bashkëpunojmë për interesin e demokratëve. Në dijeninë time Berisha ka caktuar zotin Paloka. Është koleg i imi. Nuk do të negocioj, do të bisedoj mundësinë që demokratët të kenë një mundësi në zgjedhjet lokale, pasi shanset rriten për të fituar. Së pari nuk bëj bisedime para kamerave. Do flas me zotin Paloka për të parë se kush është qëndrimi i kolegëve, do shpreh qëndrimin e grupit tim. Nuk hyjmë me kushte dhe nuk pranojmë kushte. Presim të njëjtën gjë edhe nga zoti Paloka. ,”-tha Bardhi.