TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pas aksionit policor që po zhvillohet në Lazarat të Gjirokastrës. Kjo vetëm dy ditë pasi ai bëri një takim madhështon në këtë zonë të njohur. Me anë të një postimi të bërë në rrjetin social “Facebook”, Berisha shkruan në Facebook, që të ndalohet menjëherë aksioni hakmarrës i kryeministrit Edi Rama dhe e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.
“Stop terrorit hakmarrës banditesk ndaj Lazaratit. Të dashur miq, krerët e organizatës qeveritare kriminale Rama-Çuçi të tmerruar nga denoncimet e banorëve të Lazaratit të krimeve kundër njerëzimit të kryera ndaj tyre nga Rama-Tahiri dhe bandat e tyre me uniforme kanë mbushur Lazaratin me narkopolicë dhe terrorizojnë banorët.
Portali i mirënjohur Jugulajme informon për terrorin hakmarrës primitiv që shtruan me porosi të Ramës dhe Çuçit gjatë kontrollit të banesës ndaj një nëne 70 vjeçare nga kriminel me uniformë. Dënoj më ashpersinë më të madhe dhunën ndaj banorëve të Lazaratit dhe kërkoj ndalimin e menjëhershëm të saj,”-shkruan Berisha në postimin e tij.
Sot në fshatin Lazarat, uniformat blu po kryejnë një sërë kontrollesh në disa prej banesave të fshatit, por nuk dihet se çfarë kërkojnë. Disa dhjetra efektivë të armatosur që kanë hyrë në një banesë, ku kanë gjetur vetëm një të moshuar, 70 vjeç. Madje nuk përfundon me kaq, pasi po në këtë banesë, ku pretendohet se kanë pasur informacione se fshiheshin armë zjarri, kanë kontrolluar çdo cep, duke shkaktuar një tronditje tek e moshuara, që nga paniku ka humbur ndjenjat. Por deriu më tani nuk raportohet për detaje të tjera.