KATAR – Kroacia është skuadra që shkon në fazën cerekfinale por për këtë rezultat vuajti shumë, pasi ju desh të kalonte Japoninë vetëm me llotarinë e penalltive pasi gjatë 120 minutave skuadrat nuk shkuan më tepër se një barazim 1-1.
Të parët që kaluan në avantazh ishin japonezët që konfirmuan edhe një herë meritën e plotë të daljes nga grupi i ashtuquajtur i “hekurt” deri në fazën e 16-tshes.
Në mbyllje të pjesës së parë skuadra japoneze kaloi në avantazh me Daizen Maedës (43′). Edhe pas rishikimit në VAR të këtij goli gjithçka ishte e rregullt dhe pjesa e parë e ndeshjes mes Japonisë dhe Kroacisë mbyllet nën shifrat 1-0.
Me fillimin e pjesës së dytë Kroacia kërkon me ngulm golin e barazimit dhe ja del mbanë të barazojë me Perisisc në minutën e 55-të.
Deri në përfundim të 90-minutave bashkë me shtesën nuk pati më asnjë zhvillim duke e mbyllur për herë të parë një takim të kësaj faze të 1/8-ave në kohën shtesë.
Edhe pas dy kohëve shtesë nga 15 minuta nuk ndryshoi asgjë, një përballje e barabartë që u nda vetëm pas gjuajtjes së 11-metërshave.
Ishte pikërisht kjo fazë e ndeshjes ku japonezët për herë të parë në këtë Botëror u treguan jo të qetë duke humbur dy penalltitë e para dhe aq mjaftoi për të humbur qetësinë e gjithë skuadra. Duke mbyllur me rezultatin 4-2 bashkë me penalltitë pasi japonezët humbën 3 nga 4 penalltitë e goditura.
Portieri Livakovic ishte vendimtar në gjuajtjen e penalltive, duke shpëtuar gjuajtjet e Minamino, Mitoma dhe Yoshida. Penalltia e fundit u shënua për kroatët nga Atalantino Pasalic.