Një gjë është e sigurtë, kjo e sotmja, nuk është lajmërim rutinë!
TIRANË- Zëvendësimi i ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Yuri Kim ka qenë gjithmonë një detyrë e Departamentit Amerikane të Shtetit, por kësaj herë ka “ndërhyrë” edhe një institucion që nuk i takon. Stafeta e dorëzimit dhe ndërrimit të ambasadorëve në Shqipëri ka qenë një praktikë e kahershme e DASH, por kësaj here në mënyrë të paprecedentë vendi pritës shpall largimin pa asnjë njoftim nga Amerika duke përdorur si pretekst shkrime në media periferike. Kur në fakt, vetë MEPJ vetëm sa informohet procedurialisht nga DASH për ndryshimin e ambasadorit që cakohet me detyrë në Shqipëri.
Por çfarë ka ndodhur? Cila ishte pika që derdhi gotën e pse po kërkohet largimi i Yuri Kim? Prej muajsh në median online po flitet për një luftë të heshtur deklaratash mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores Kim. Përplasja u konfirmua disa javë më parë kur kryeministri u largua nga një takim publik, në momentin kur Kim do të merrte fjalën ndërsa e thumboi diplomaten se “ka ambasadorë që emocionohen publikisht për vendime gjykatash”.
Krisja e parë ndodhi në mars, ku Rama u pa qartë se nuk e kishte më Kim të preferuar ndërsa etiketimi “sekretare partie” u pa si batutë.
Por rrënjët ishin më të thella se kaq. Gara për kreun e ri të SPAK shihet si një nga arsyet më të forta të përplasjes. Amerikanët i druhen një drejtimi të të preferuarit të socialistëve dhe këtu nuk ka “ujdi”… Një tjetër përplasje e nëndheshme është edhe ajo për Aeroportin e Vlorës. Një artikull i botuar dje nga Zëri i Amerikës, që njihet gjerësisht si paralajmëruese e politikave amerikane në vend, njoftoi se Konventa e Bernit kërkonte me urgjencë anulimin e procedurave për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
Ky shkrim u pasua nga një reagim zyrtar i kreut të Dhomës Amerikane të Tregtisë që tha sot se respektimi i vendimit të Konventës është test për Shqipërinë. Nga ana tjetër, Zëri i Amerikës nuk ka bërë asnjë pasqyrim të reagimit të Ministrisë sonë të Jashtme për nisjen e procedurës e largimit të Kim. Çfarë ka ndodhur?
Ashtu siç askush nuk e priti, Ambasada Amerikane reagoi e para ndaj dhunimit të kryedemokratit Sali Berisha, edhe pse “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përplasja ka nisur, mbetet vazhdimi i një beteje të rrallë mes një qeverie dhe një aleati strategjik si SHBA. Dosja.al