BBC: Pse u shembën pallatet e reja në Turqi?

0

Ndër videot e shumta që kanë qarkulluar në rrjetet sociale pas tërmetit të rëndë në Turqi dhe Siri, bën përshtypje ajo e një pallati që kishte shumë pak kohë që kishte përfunduar. Sipas BBC, pallati në Malatya kishte përfunduar vitin e kaluar dhe në postimet në mediat sociale thuhej se ai ishte ndërtuar në përputhje me të gjithë standardet më të fundit për tërmetet. Në reklamë thuhej se materialet e përdorura dhe puna e kryer ishte e një cilësie të klasit të parë. Por përse u shembën kaq shumë ndërtime të reja në Turqi, duke shkaktuar zemërim te qytetarët?

Rregulloret e ndërtimit janë shtrënguar pas fatkeqësive të mëparshme, më së fundmi në vitin 2018.

Standarde më të rrepta sigurie u vendosën gjithashtu pas tërmetit të vitit 1999 në Izmit, në veriperëndim të vendit, ku humbën jetën 17 mijë njerëz.

Rregullat e fundit kërkojnë që strukturat në rajonet e prirura për tërmete të përdorin beton të cilësisë së lartë të përforcuar me shufra çeliku. Kolonat dhe trarët gjithashtu duhet të shpërndahen në mënyrë të tillë për të absorbuar efektivisht ndikimin e tërmeteve.

Megjithatë, këto ligje janë zbatuar në mënyrë të dobët.

“Intensiteti maksimal i këtij tërmeti ishte i dhunshëm, por jo domosdoshmërisht i mjaftueshëm për të rrëzuar godinat e ndërtuara mirë,” thotë David Alexander, profesor i Planifikimit dhe Menaxhimit të Emergjencave në ‘University College London’.

“Në shumicën e zonave, niveli i lëkundjeve ishte më i vogël se maksimumi, kështu që mund të konkludojmë se nga mijëra ndërtesa që u shembën, pothuajse të gjitha nuk janë në përputhje me asnjë kod ndërtimi të arsyeshëm për termetet”.

“Problemi është se ka shumë pak rinovime të ndërtesave ekzistuese, por ka gjithashtu shumë pak zbatim të standardeve të ndërtimit në godinat e reja,” thotë Alexander.

Qeveria gjithashtu ka miratuar vazhdimisht ‘amnisti ndërtimesh’- praktikisht përjashtime ligjore për pagesën e tarifës për ato struktura që janë ngritur pa certifikatat e nevojshme të sigurisë. Këto kanë kaluar që nga viti 1960, dhe më e fundit ishte në vitin 2018.

Kritikët kanë paralajmëruar prej kohësh se amnisti të tilla rrezikojnë katastrofë në rast të një tërmeti të madh.

Deri në 75 mijë ndërtesa në të gjithë zonën e prekur nga tërmeti në Turqinë jugore u është dhënë amnisti ndërtimi, sipas Pelin Pinar Giritoglu, kreu i Dhomës së Inxhinierëve dhe Arktiktëve turq.

Vetëm pak ditë përpara katastrofës së fundit, mediat turke raportuan se një projektligj i ri po priste miratimin parlamentar, i cili do të jepte një amnisti të mëtejshme për punimet e fundit në fushën e ndërtimit.

Gjeologu Celal Sengor tha në fillim të këtij viti se miratimi i amnistive të tilla ndërtimore në një vend që preket kaq shumë nga tërmetet, përbën një krim.

Pas një tërmeti vdekjeprurës që goditi provincën perëndimore të Izmirit në vitin 2020, një raport i BBC-së turke zbuloi se 672 mijë ndërtesa në Izmir kishin përfituar nga amnistia më e fundit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu