Tiranë- Solidaritet i pashoq edhe i qytetarëve shqiptarë dhe atyre turq që punojnë në Shqipëri për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti në Turqi e Siri.
Ambasada e Turqisë në Shqipëri në bashkëpunim me ‘Fundjavë Ndryshe’ organizuan mbledhjen e ndihmave për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti shkatërrimtar që goditi dy vendet duke lënë pas mijëra viktima dhe të plagosur.
Pasojat e këtij tërmeti kanë lënduar zemrat e çdo shqiptari të cilët duan të ndihmojnë me sa të munden për të lehtësuar sadopak dhimbjen.
Në krye të kësaj fushate solidariteti ka qenë vetë Ambasadori i Turqisë në Shqipëri Sh.T.Z. Tayyar Kağan Atay. Në bashkëpunim me drejtuesin e ‘Fundjavë Ndryshe’, Arbër Hajdari, është bërë e mundur mbledhja e 2 kamionëve me ndihma të cilët janë nisur tashmë për në Turqi.
Pjesë e kësaj nisme të rëndësishme ishte edhe drejtoresha e Infoweb Media, Anisa Bahiti.
Në një postim në profilin e saj në Facebook mes të tjerash Bahiti citon:
Sot ishte një ditë e rëndësishme.
Solidariteti me popullin mik Turk dhe popullin e vuajtur Sirian. Bashkë me Fundjavë Ndryshe, Arbër Hajdarin, Ambasadori Sh.T.Z. Tayyar Kağan Atay dhe kontribues të tjerë të rëndësishëm u bëmë pjesë e nismës së rëndësishme të dërgimit të ndihmave për tragjedinë e tërmetit të para 5 ditëve të pjesës juglindore të Turqisë dhe pjesës veriore të Sirisë. Solidariteti me njerëzit në nevojë ndihmon dhe nuk varfëron! Infoweb Media












