DURRËS- Drejtoria e Përgjithshme Detare ka dhënë detaje mbi incidentin që ndodhi pasditen e së dielës në portin e Durrësit ku një traget i linjës së Ankonës ka këputur zinxhirët lidhës dhe është përplasur me bankinën. Por fatmirësisht nuk ka pasur pasagjerë në bord. Sipas të dhënave të tjera, shkak për përplasjen është bërë era e fortë, e në ndihmë të tragetit kanë shkuar dy rimorkiatorë.
“Sot në orën 18:21 në portin e Durrësit ka ndodhur një incident. Si rezultat i erës fortë që shkoi 35 m/s në port, trageti A/F CLAUDIA ka këputur cimën e djathtë dhe ka prekur bankinën nga ana e ish-portit te peshkimit. Menjëherë kanë hyrë në veprim dy rimorkiatorët të cilët kanë shmangur përplasjet dhe trageti CLAUDIA është lidhur përsëri në bankine me cima te tjera.
Theksojmë se trageti A/F Claudia nuk ka pasur të imbarkuar pasagjerë dhe automjete në çastin e incidentit. Pas lidhjes dhe mbajtjes me dy rimorkiatorë ka filluar puna për imbarkimin e mjeteve në traget. Njoftojmë se në këto çaste trageti A/F Claudia ka dalë nga porti Durrësit dhe është nisur për Ankona. Gjithashtu të gjithë pasagjerët që do udhëtojnë sonte me linjat Durrës – Bari dhe Bari – Durrës së tragetet do vazhdojnë normalisht në linjat sipas orareve të përcaktuara në grafik,”-thuhet në njoftim.