SHBA- Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka kërkuar që Kina të dëmshpërblejë vendet e prekura nga Covid-19 pas raporteve të publikuara që pretendonin se virusi është krijuar në një laborator.
BBC shkruan se Trump ka pohuar se ka pasur të drejtë në spekulimet e tij të hershme se Covid-19 doli nga një laborator kinez, duke thënë se Pekini duhet të kompensojë pjesën tjetër të botës për viktimat e të sëmurët e shtruar në spital.
“Ata krijuan virusin, e lejuan të përhapet globalisht. Deklarata e ditëve të fundit nga Departamenti Amerikan i Energjisë (DOE) dhe FBI tregoi se virusi ka shumë të ngjarë të ketë rrjedhur nga Instituti Kinez i Virologjisë Wuhan. Faktet tani janë të qarta dhe i kanë parë të gjithë. Gënjeshtra dhe mashtrimi i Pekinit vranë çdo mundësi për të ndaluar këtë katastrofë vdekjeprurëse globale që në fillim,”- tha Trump.
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi se politizimi e ka bërë më të vështirë përcaktimin e origjinës së virusit. Megjithatë, javën e fundit kanë dalë raportet e FBI-së që pretendonin krijimin e këtij virusi në laborator.
Kina u përgjigj dhe akuzoi administratën e Joe Biden për politizimin e gjurmimit të origjinës së Covid-19 për të njollosur Kinën.