Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri shprehet i bindur se Elbasani në vitin 2030 do të jetë një qendër e rëndësishme ekonomike dhe kulturore. Në një takim bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja me banorët e fshatit Bradashesh, drejtuesi politik i PS për Qarkun tha se mbështetja për PS dhe Gledin më 14 maj, është votë për vijimin e investimeve.
“Këtu nuk është çështje që Gledi të vijë vetëm si individ sepse këtu ky përfaqëson Partinë Socialiste dhe qeverinë e Edi Ramës si i zgjedhuri juaj. Elbasani në vitin 2030 do të jetë një qendër e rëndësishme dhe ekonomike, pse jo kulturore, turistike dhe shumë elementë që sjell që sjell zhvillimi. Pse them se s‘ka ç’bën vetëm një kryetar bashkie? Sepse ka nevojë për projekte, ka nevojë për financime nga qeveria, ka nevojë për një bashkëpunim të mirë qeveri – bashki. Nuk është çështja thjesht të zësh atë godinën aty, të punësosh ja dhjetë vetë, edhe pastaj gjërat do ecin vetë me taksat e qytetarëve të Elbasanit. E pamundur! Prandaj një nga gjërat që ne duhet të kemi parasysh për 14 maj nuk është se votojmë thjesht vetëm për Gledin kryetar, po votojmë edhe për ekipin e këshillit bashkiak, që ky do ta ketë për vete për mbështetjen e politikave, por votohet mbi të gjitha për Partinë Socialiste me qeverinë e Edi Ramës”, tha ai.
Numri dy i socialistëve u ndal dhe tek projektet e rëndësishme që janë parashikuar për t’u realizuar në Elbasan dhe për potencialin e zhvillimit ekonomik të tij. “U fol këtu për “Bypass-in” e madh. “Bypass-i” i vlen të gjithë Elbasanit. E para, shmang një pjesë të ndotjes të gjithë atyre kamionëve dhe trafikut që krijohet në qytet por njëkohësisht juve këtu si zonë, se ju jeni zemra ekonomike e qytetit të Elbasanit, ju jeni industria, Bradasheshi. Në fakt që në atë kohë ka qenë por tani po rimerr veten me gjithë këto njësi të reja prodhimi që janë hapur këtu. Zona industriale do të zemra ekonomike e Elbasanit për të shfrytëzuar pozicionin strategjik që ka Elbasani, afër kryeqytetit, afër Durrësit. Rrjeti energjetik është shumë i mirë për industrinë sepse të gjitha linjat e tensionit të lartë janë të mbledhura këtu në Elbasan. Këtu ka mundësi të zhvillohet ekonomia në të gjitha drejtimet”, tha ai.
Gjiknuri komentoi dhe alternativën përballë, teksa deklaroi se halli i vetëm i tyre është dyshja Berisha-Meta. “Pse do ta japësh votën te kundërshtarët ti për ti zgjidhur hallin personal atij apo për të parë interesat më të gjëra të Elbasanit? Prandaj them të shikojmë përpara. Le të shikojmë interesin e qytetarëve të Elbasanit dhe të të gjithë masës kryesore të njerëzve për këto projekte që ndikojnë direkt në Elbasan. Është garë për një projekt, për një Elbasan më të mirë, për një filozofi qeverisëse e përfaqësuar nga një ekip. Në fund të fundit ky është dhe i përzgjedhuri i kryeministrit për t‘i çuar punët përpara në Elbasan. Nuk u vjen mirë atyre. Po ta vësh re kundërshtarin është garë me individ thotë se unë s’kam punë me parti. Po ti i kujt je? A je i Saliut dhe Ilirit? Jam unë thotë, por kam plan tjetër. Po si paske plan tjetër ti? Ata për atë punë të kanë zgjedhur ty për planin e tyre. Siç e ka zgjedhur Edi Rama këtë për planin e tij, për zhvillimin e Elbasanit, për atë çfarë përfaqëson PS-ja. Këtë qasje që kemi nisur për të ecur përpara le ta materializojmë me votë në 14 maj“, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PS.
Kryebashkiaku Llatja deklaroi se 14 maji është dita për të lidhur një kontratë tjetër bashkëpunimi për të vijuar punët e mira të bëra deri më tani. “Rinovojmë atë kontratë që kemi pasur, por me ca pika të reja me ato punët e mira që do vazhdojmë të bëjmë. Me progresin jo vetëm të Bradasheshit fshat apo të njësisë, por për të gjithë bashkinë e Elbasanit. Ne këtu kemi implementuar një nga projektet kryesore që kemi pasur, murin e gjelbër në zonën industriale në mënyrë që të rrisim sipërfaqet e gjelbëruara dhe të bëjmë një ndarje jo vetëm vizuale ,por edhe klimatike. Ne në Elbasan gjatë kësaj periudhe kemi mbjellë mbi 100 mijë fidanë. Po vazhdojmë, prioritet kemi Bradasheshin dhe Paprin dy njësitë tona kryesore ku edhe zhvillohet industria. Por ne nuk e kemi vetëm tek industria perspektivën dhe vizionin tonë. Ne kërkojmë një zhvillim të qëndrueshëm të Elbasanit. Zgjerimi i „Korridorit 8“, Bypass-i i Elbasanit, spostimi i hekurudhës për të kaluar matanë lumit Shkumbin ne na sjell një zhvillim më të madh ekonomik të qytetit“, tha kryebashkiaku Llatja.