Dyshohet se ka bashkëpunuar me autorët e rrëmbimit të Koçoles e Sulovarit, lihet në burg 28-vjeçari

0

Sot në Gjykatën e Sarandës u paraqit 28-vjeçari Sofokli Baxheri, i njohur si Sofo, i cili u ndalua në orët e para të mëngjesit të djeshëm pasi ishte lëshuar një urdhër arresti nga prokurorja Esmeranda Basho. Baxheri akuzohet për veprat penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vertetës” dhe “deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Sipas autoriteteve, Baxheri i kishte dhënë me qira një banesë në fshatin Nivicë, personave të dyshuar si autorë të rrëmbimit dhe ndoshta vrasjes së Leonard Thodhori, i njohur si “Koçole”, dhe Fatmir Sulovari, alias Fatmir Krasniqi, si dhe të vendosjes së eksplozivit në banesën e 54 vjeçarit Lefter Lefteri, alias Afëz Kulla.

Baxheri gjithashtu akuzohet se ka gënjyer gjatë deklarimeve të tij kur është marrë në pyetje nga policia. Ai u shoqërua me disa të rinj të tjerë nga Saranda, si persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen e rëndë. Ata janë kryesisht lidhje shoqërore të disa personave me precedentë penalë që dyshohet se fshihen pas rrëmbimit të dy 46 vjeçarëve.

Në fund të seancës së sotme në gjykatë, gjyqtari Alban Veçani vendosi për Baxherin masën e sigurisë “arrest në burg” dhe ai u transferua më pas drejt burgut të Bënçës në Tepelenë. Organet e akuzës po kërkojnë prova për të zbuluar kush fshihet pas automjetit që u gjet në garazhin e banesës së Baxherit në Nivicë, automjet i cili rezulton i përfshirë në ngjarjen e rrëmbimit dhe tritolit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu