Gjiknuri dhe kryebashkiakët Llatja e Salla takohen me sportistët e peshëngritjes së Cërrikut dhe të Elbasanit: “Jeni pasaporta më e mirë; Të ecim bashkë në të mirë të sportit”

0

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakët Gledian Llatja dhe Andis Salla u takuan me sportistët e ekipit të peshëngritjes së Cërrikut dhe të Elbasanit, që me pasion dhe punë kanë ngritur lart flamurin kuqezi në garat ndërkombëtare. Gjiknuri nënvizoi se falë dhe ligjit të ri për sportet të bërë nga qeveria, këto disiplina po rigjallërohen duke afruar dhe brezin e ri.

“Të dyja bashkitë po bëjnë maksimumin edhe për të paguar më mirë trajnerët, edhe për të mbështetur nga ana logjistike. Mbi të gjitha i takon Komitetit Olimpik, i takon federatës përkatëse sidomos me sportin e peshëngritjes, të bëjë çmos me mbështetjen e qeverisë që t’i krijojë këto kushte. Unë e quaj krenari kombëtare kur shoh flamurin shqiptar të ngrihet në arena botërore. Është krenari e madhe dhe është nderi i një kombi. Sportistët të bëjnë krenarë. Realisht ju jeni pasaporta më e mirë”, tha ai.

Numri dy i socialistëve siguroi për një mbështetje më të madhe për sportistët si për paga, ashtu dhe për terrene sportive.

“Ky vend ka nevojë dhe për imazh të mirë. Mua më vjen mirë që qeveria po bën çmos për ta ngritur sportin në këtë nivel dhe më vjen mirë sepse po e bën për kombin edhe për veten e saj, për të treguar që ky vend ka dinjitet ka një imazh të mirë dhe ju jeni ambasadorët më të mirë. Kudo që jeni sa më shumë medalje sa më shumë kampionë. Natyrshëm ne e kemi detyrim të madh sepse i ngrini lart imazhin Shqipërisë. Personalisht do më keni mbështetje. Kjo qeveri, falë edhe kryeministrit Rama si ish-sportist, i bëri këto investime, bëri këtë ligj të mirë, e ka treguar me vepra. Ka nevojë dhe ajo për inkurajim. Nganjëherë njerëzit thonë: hë mo çfarë i harxhoni lekët kot për sportin! Mua më vjen mirë që qeveria po investon në këtë drejtim dhe ia vlen që shoqëria të paguajë diçka ekstra për të nxitur sportin. Të ecim bashkë në të mirë të sportit në çdo lloj drejtimi”, deklaroi Gjiknuri.

Kreu i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja u shpreh se një vëmendje të veçantë në mandatin e ri do të marrin dhe terrenet sportive.

“Në Elbasan, në këtë mandat të ri që ne po marrim, ne do rregullojmë të gjithë palestrën, atë që është edhe për qitjen edhe për peshëngritjen. Të krijojmë kushte sa më të mira, të krijojmë një ambient të përshtatshëm dhe të krijojmë një qendër multifunksionale sportesh jo vetëm të peshëngritjes, por të shohim mundësinë në bashkëpunime edhe me qeverinë shqiptare. Unë e kam mbështetur sportin që ditën e parë. Puna jonë dhe mbështetja që ne japim për sportin është konkrete dhe jemi të bindur që këtë 4-vjeçar që ne po bëhemi gati të fillojmë, do të kemi një mbështetje më të madhe nga qeveria, por edhe në do ju mbështesim më shumë. Nisma më e fundit që ka marrë qeveria, në bashkëpunim edhe me të gjitha federatat për t’u dhënë kampionëve titullin e ushtrisë, u krijon atyre një pagë të sigurtë ekonomike për të ardhmen”, tha Llatja. Ai nënvizoi se në qytet po bëhen terrene të reja sportive, jo vetëm në qytet, por dhe në zonat rurale. “Po bëjmë infrastrukturë jo vetëm në qytet, por edhe në fshat, terrene shumë të mira dhe do vazhdojmë ti kemi ato. Vetëm këtë mandate kemi bërë 5 palestra të reja, tani jemi duke përfunduar dy palestra të reja tek pedagogjikja që janë fantastike. Do vazhdojmë edhe me shkollat që nuk kanë palestra që t’i ndërtojmë ato”, u shpreh kreu i Bashkisë së Elbasanit

Kryetari i Bashkisë së Cërrikut Andis Salla siguroi për vijimin e mbështetjes për sportistët që na përfaqësojnë denjësisht në arenat ndërkombëtare.

“Dua t’ju falenderoj të gjithëve pasi është një nga sportet më të vështira, një nga sportet më të rënda dhe prandaj kërkon një maksimum dhe përkushtim shumë të madh. Sot kemi arritur të mbështesim me buxhet që të arrijmë akoma më përpara në Europë dhe çdo Olimpiadë Botërore që ka peshëngritja. Prandaj ne do të vazhdojmë me mbështetjen për këtë sport kaq të vështirë për të gjithë ekipin e peshëngritjes. Do të jemi mbështetësit kryesorë jo vetëm si bashki, por dhe si qeveri”, deklaroi kryebashkiaku Salla.



PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu