Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi pas daljes në SPAK se ai ishte thirrur në organin e akuzës këtë të mërkurë në cilësin e personit që kishte dijeni mbi hetimet që po kryen mbi çështjen Partizani.
Balla u tregua tepër i rezervuar përballë gazetarëve, për shkak të sekretit hetimor. Ai nënvizoi se shpreson që drejtësia e re t’i shkojë deri në fund korrupsionit qeveritar në çështjen Partizani, ku sipas tij ish-kryeministri Berisha favorizoi dhëndërrin Jamarbër Malltezi.
“Unë kam qenë shpesh në këtë institucion si person që kam akuzuar persona në pushtet dhe kur kam qenë në opozitë dhe tani që jam në pozicionin e kryetarit të grupit parlamanetar. Shpresoj që drejtësia t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje.
Jam thirrur si një person që ka dijeni dhe kam dhënë shpjegimet e mia për çështjen dhe nuk mund të jap më shumë detaje”, tha Balla.