KOSOVË- Ambasadorët e shteteve të QUINT-it po zhvillojnë një takim në objektin e qeverisë së Kosovës të enjten pasdite. Ky takim vjen një ditë pas rrëmbimit të tre policëve në veri nga forcat serbe.
Takimi, siç raportojnë mediat kosovare, ka nisur para disa minutash.
Çfarë po ndodh në veri të Kosovës?
Situata në veri të Kosovës vijon të jetë e tensionuar. Një ditë më parë (14 qershor) në afërsi të Leposaviç, 3 pjesëtarë të Policisë së Kosovës u morën peng peng nga Forcat Speciale Serbe ‘Kobra’. Ngjarja ndodhi kur tre policët ishin duke patrulluar në kufi, në vendin e quajtur Tresave/ Bare.
Sipas Qeverisë së Kosovës, ky është një kundërpërgjigje për arrestimin 2 ditë më parë në Mitrovicën e Veriut, të serbit Millun Millenkoviç, një nga organizatorët e protestave të dhunshme në Veri. Serbia ka hedhur poshtë çdo pretendim. Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët lokalë u përplasën me ushtarët e KFOR-it të cilët ruanin objektet komunale. Atë ditë mbetën të lënduar 30 ushtarë të KFOR-it, 11 të kontingjentit italian dhe 19 të tjerë të kontingjentit hungarez. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për uljen e tensioneve tensioneve dhe, së fundi, disa kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.